A ishte sot një ditë e mirë apo një ditë e keqe?

Posted: 24/06/2017 by Shpresa Rupar

Si të kaloi dita sot, mirë apo keq?

Në fakt duke i bërë vetes apo dikujt tjetër një pyetje të tillë, automatikisht kemi një ditë të keqe, pasi subkoshienca e njeriut, dashje pa dashje, është më e ndjeshme ndaj gjërave negative.

Automatikisht përgjigjemi, më mirë mos më pyet sot ishte një ditë skandaloze dhe fillojmë të numërojmë të këqijat e ditës.
Në fakt, personalisht për mua, nuk ka ditë të këqija por vetëm disa momente apo ngjarje të këqija,
por edhe këtu duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të pyesim ky moment apo ngjarje ishte e keqe apo thjesht ndoshta e padëshiruar dhe pse?

Si mundet ta ndryshojmë konceptin e ditës së mirë apo të keqe?

Ndoshta thjesht duke ndryshuar pritshmërinë:

nëse presim çdo ditë një ditë me diell, kuptohet që do zhgënjehemi,
nëse presim çdo ditë nota të shkëlqyera nga fëmija, kuptohet që do zhgënjehemi,
nëse presim drekën çdo ditë mbi tavolinë nga mami, vjerra apo partneri/partnerja, kuptohet që do zhgënjehemi,
nëse presim që gjatë orarit të punës do zgjidhim gjithë problemet të cilat dalin gjatë ditës, kuptohet që do zhgënjehemi,
nëse mendojmë që kjo apo ajo gjë nuk mund të më ndodhi mua kuptohet që do zhgënjehemi;
kjo listë pritshmërie mund të jetë shumë e gjatë, por nëse ndryshojmë listën e pritshmërive ndoshta ndodhitë gjatë ditës mund ti marrim thjesht si gjëra që ndodhin.

Ndoshta po ta shofim ditën nga një këndvështrim tjetër dhe të kënaqemi me disa veprime dhe gjëra të vogla,
si një  telefonatë  apo  një mesazh në messenger 😃 nga një shoqe e vjetër, krahët e hapur të fëmijës sa hyn në shtëpi, buzëqeshja apo përqafimi nga partneri,
një ditë me diell pas ditëve gri, aroma e luleve dhe detit, një lojë me letra apo një darkë e këndshme me miqtë që na kuptojnë e i kuptojmë,
një shëtitje ne Dajt, një vrap rreth liqenit, ndoshta thjesht pranimi i së vërtetës lakuriqe se dita perfekte nuk ekziston, na bën ta vlerësojmë edhe më shumë ditën tonë.

Ditët jane plotë me sfida dhe kini kujdes, se ose dita ju vë poshtë ose ju vini atë poshtë.

“Ka dy rrugë drejt lumturisë: bëj diçka pët të ndryshuar realitetin ose ul pritshmëritë.”

Jodi Picoult

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line:




No Comments

Leave a Reply