A ja vlen të respektoni kontratën dhe punën që bëni?

Posted: 09/12/2018 by Shpresa Rupar

”E pse të lodhem kaq shumë, nuk është kompanie ime”!
”Për tjetrin nuk ja vlen asnjëherë të japësh 100% nga vetja”!
”Në të njëjtin pozicion një mikja ime paguhet më shumë tek X kompani”.
”Kjo punë nuk më pëlqen fare, nuk e kam me pasion”.
”Bëj atë që duhet dhe kaq, pse të punoj më tepër”….

Sot nuk po analizoj gjithë arsyet e kësaj sjelljeje apo të këtyre konkluzioeneve që arrin një i punësuar. Në ditët dhe javët në vazhdim po mundohem të shkruaj për shkaqet dhe pasojat rreth këtij fenomeni.

Më poshtë po ju jap tre arsye se pse duhet respektuar kontrata e nënshkruar dhe pse duhet të jepni maksimumin për punën që keni marrë përsipër pavarësisht pagesës mujore, të cilat mendoj se ja vlejnë.

Pavarësisht se ju punoni për dikë tjetër, njohuritë që merrni kanë një vlerë monetare të pamatshme. Çfarë do lloj njohurie apo eksperience që fitoni ngelen me ju kudo që shkoni, asnjë nuk mundet ti vjedhi këto njohuri dhe eksperienca.

Arsyeja tjetër është po kaq e rëndësishme, ju po ngrini reputacinonin tuaj,  po hidhni themelet drejt së ardhmes suaj. E keni dëgjuar shprehjen ”më mirë syri sesa nami”, pikërisht për të lenë një emër të mirë pas vetes, për të krijuar hapësirën tuaj brenda ekonomisë së tregut ju duhet të bëni këtë vend me dinjitet. Me çfarë pasioni apo përgjegjësie bëni diçka, sado e e vogël të jetë ajo, flet shumë për karakterin tuaj. Në ditët e sotme mes bashkëatdhetarëve të mi kam dëgjuar shpesh; ”nuk ja vlen të jesh i ndershëm”. Në fakt ndershmëria, korrektësia, respekti janë virtyte që flasin shumë për karakterin tuaj dhe prandaj personalisht nuk bie dakord me shprehje të tilla. Nëse ndërtoni një reputacion, ngrijeni veten mbi virtyte, sepse jeni ju që do ndiheni mirë, qetësia e brendshme është thesari më i madh që mund të kemi. Sa të pasur ka sot që paguajnë thesare për të gjetur këtë qetësi të brendshme, ndoshta duke i hedhur nga një pikë çdo ditë këtij thesari mundet ti bëni vetes dhuratën më të bukur.
Reputacioni sjell besimin dhe besimi sjell punë më të mira, të ardhura më të mira e kështu me radhë.

Dhe arsyeja e tretë, ndoshta edhe më kryesorja; ju po formoni karakterin tuaj dhe me karakterin dhe sjelljen tuaj ndikoni tek të tjerët rreth jush, sidomos tek fëmijët dhe brezat e së ardhmes.

Kur kam punësuar dikë qoftë në biznesin tim apo qoftë edhe pranë kompanisë ku kam punuar këto dhejtë vitet e fundit, i kam kushtuar gjithmonë shumë rëndësi disa cilësive të tjera, sjellja, qëndrimi, këndvështrimi i këtij kandidati/-eje i një situate të caktuar, më shumë sesa numri i diplomave apo titujve, aboslutisht pa i hedhur poshtë njohuritë nga studimet e ndryshme, pasi këto një aset i domosdoshëm.

Përse është e rëndësishme kjo pjesë? Sa më shumë të keni nga këto cilësi aq më të kërkuar do jeni, më lehtë do gjeni vend pune diku tjetër, më shumë nevojë do ketë kompania për ju, pra mund të jeni të pazëvendësueshëm. A do donit këtë arritje për fëmijën tuaj? A do donit që për fëmijën tuaj të dëgjonit fjalë të mira dhe komplimente apo kritika?

Sot në ekonominë e tregut, investitorët kërkojnë pikërisht këto cilësi, investitorit nuk i duhet dikush me diploma por mashtrues, dikush nga familje ”fantastike” por pa etika, dikush me CV të pasur, por jo i zellshëm në punën e tij.

Patjetër është e drejta e gjitësecilit të zgjedhi vendin e punës duke llogaritur arsye të ndryshme mes tyre edhe pagën, por kjo aspak nuk do të thotë që kur e pranoni ofertën, të mos kryeni punën për të cilën paguheni.

Mundohu të tregoni vlerat më shumë sesa suksesin.

Einstein

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: