Çfarë më ka mësuar vajza mua?

Posted: 03/10/2017 by Shpresa Rupar

Një ditë gjatë “orarit të këshillimit “, se unë jam e rritur di më shumë🤔🙄, vajza ime më la me gojë hapur. Ok mami të dëgjova, por të lutem a mund të më bësh një pyetje të thjeshtë? Dhe pyetja e thjeshtë që priste nga ana ime ishte: Çfarë mendonte ajo për mua, çfarë donte që unë apo të dy ne të ndërronim në sjelljen, veprimet apo organizimet tona në lidhje me të?
Kuptohet pas dëgjimit me vëmendje të disa detajave nga ana e saj, fillova ta organizoj ditën ndryshe, pasi në fund të fundit nuk po më kërkonte të bëja shkencë, por thjesht prakticitet.
Nga ajo ditë, sa herë mendojmë të organizojmë një fundjavë ndryshe, gjithmonë i japim 2-3 alternativa dhe duke diskutuar vendosim së bashku çfarë duam të bëjmë, ku do shkojmë: do dalim shëtitje me biçikleta apo thjesht një shëtitje në natyrë, do luajmë futboll, do shkojmë në kinema apo teatër, do rrëshkasim me slita apo do shkojmë per skijim, do rrimë në shtëpi thjesht duke e kaluar fundjavën me një lojë letrash, domino, shah, lexim librash; do shkojmë për shopping, do organizojmë një piknik me shoqërinë, do ftoj shoqet e veta për fundjavë, e të tjera aktivitete – gjithmonë në varësi të mundësive dhe kohës në dispozicion.
Të dy kuptuam thelbin e edukimit të fëmijës, në fund të fundit duhet të heqim dorë nga disa parime të rriturish, duhet të heqim dorë dhe tani për tani të harrojmë disa nga “aventurat” e të rriturve dhe të gjejmë atë fëmijën brenda vetes pasi vitet me fëmijët ikin shumë shpejt.
Rreth kohës cilësore që duhet të kalojmë me fëmijën ka shkruar edhe Dr. Harley Rotbart, autori i librit “No Regrets Parenting”: “Nga dita e lindjes dhe deri sa fëmija mbush 18 vjeç, janë vetëm 940 të shtuna, të cilat mund ti kaloni së bashku, nga këto 260 deri në moshën 5-vjeçare.”
Dhe sa të rëndësishme janë këto të shtuna, sidomos deri në moshën 5-vjeçare, pasi këto janë vitet të cilat ndikojnë më shumë në formimin e karakterit.
Plus si nënë kam kuptuar një të vërtetë lakuriqe: Fëmija ka nevojë për prindërit, ka nevojë kur kanë aktivitete kulturore apo sportive pasi kërkon aprovimin nga ana jonë, qoftë edhe në heshtje, ka nevojë të ndjejë ngrohtësinë dhe dashurinë pa kushte, ka nevojë ai dhe ne si prindër për të krijuar momente sa më të bukura së bashku, pasi në fund të fundit janë këto kujtime dhe momente të bukura për të cilat jetojmë.
Më e rëndësishmja është që ne si prindër të gjejmë kohën për ta dhe gjatë kësaj kohe me ta të jemi vetëm me ta.
Sa prindër ka aty jashtë në një park, në një dyqan, në një kafene, apo brenda në shtëpi, të cilët pretendojnë se janë me fëmijët, por në fakt janë thjesht fizikisht me ta!
Janë thjesht fizikisht pasi nuk i dëgjojnë kërkesat e tyre, nuk i shofin luftërat e tyre të brendshme, nuk e kuptojnë kur ky fëmijë ka më shumë nevojë për supin e prindit. Si prindër të kohëve moderne vrapojnë nga një vend tek tjetri për të plotësuar detyrimet e përditshme, vrapojnë së bashku me fëmijën nga një kurs tek tjetri, por në fakt ata me mendje dhe me shpirt thjesht nuk janë prezent.
Ashtu siç ka thënë edhe psikologu i njohur Daniel Siegel gjëja kryesore që mund t`ju japim fëmijëve është prezenca dhe më shumë ti dëgjojmë sesa të flasim. Fëmijët shumë shpesh na surprizojnë pasi ata shpesh na njohin ne prindërve më shumë sesa njohim ne veten. Fëmijët kanë nevojë për prezencën e prindit, kanë nevojë të na njohin kush jemi dhe si e jetojmë jetën. Fëmijët me ato mendjet e vogla shpesh na ndihmojnë gjatë rrugës sonë, por çka është më e rëndësishmja me këtë çiltërsinë e tyre i japin kuptim jetës sonë dhe së bashku mund të krijojmë kujtimet më të bukura të jetës. Pikërisht për të krijuar këtë bukuri reciproke është e domosdoshme të qenit PREZENT, më shumë prezencë shpirtërore sesa fizike.

 

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: