Çfarë më ka mësuar Eckarht Tolle?

Posted: 16/09/2018 by Shpresa Rupar

Gjatë jetës sime kam lexuar libra pa fund. Mes tyre edhe Eckhart Tolle, i cili me fjalët dhe shkrimet e tij ka zënë brenda meje një vend të veçantë. Ku qëndron e veçanta dhe bukuria e shkrimeve të tij?

Ai thjesht thotë gjëra të thjeshta, të cilat thellë-thellë i dimë, por i harrojmë, shumë shpesh i harrojmë. Me ju sot dua të ndaj disa nga këto çfarë ai do të përçojë, ato çfarë të cilat kanë ndikuar më shumë tek unë. Uroj shumë që dikush prej jush ndoshta do ta gjej veten brenda këtyre rreshtave. Lexim të mbarë!

 

E tashmja, ky moment është gjëja më me vlerë që kemi. Shumica prej nesh nuk e di rëndësinë dhe fuqinë e momentit, që edhe vetë Eckhart e quan “TANI”. Shumica prej nesh jetojmë ose me të kaluarën ose për të ardhmen. E shkuara na identifikon, ndërsa të ardhmen e shohim si shpëtimtare. Por në fakt ne nuk jemi as e kaluara dhe as e ardhmja. Ne jemi ata që jemi TANI dhe ajo çfarë jemi tani është shumë më e rëndësishme se ajo kush ishim apo kush do të jemi. Duke u marrë me atë se cfarë mund të bënim ndryshe në të kaluarën dhe se me çfarë ndoshta do të kemi në të ardhmen, harrojmë të tashmen, pra thjesht nuk jetojmë momentin.

Kudo që të jesh tani – JI ATY, ji 100 % fizikisht dhe mendërisht.  

Kur ndodhesh në një situatë ku nuk do të jesh më, ke tre mundësi: largohu nga kjo X situatë apo gjendje, pranoje tërësisht 100% ose ndryshoje. Nëse do të marësh përgjegjësinë për jetën tënde, të duhet të vendosësh për një nga këto tre mundësi dhe të duhet të vendosësh tani, jo ndoshta njëherë në të ardhmen. Me këtë pranon edhe pasojat që sjell një vendim i tillë.

Dashurinë mos e kërko jashtë vetes. 

Dashurinë nuk mund ta kërkosh jashtë vetes, sepse e dashuria është thellë brenda teje. Asnjëherë nuk mund ta humbasësh dhe asnjë nuk mundet dot të ta marri.

Roli i viktimës. 

Kur ankohesh e ke kthyer veten në viktimë. Nëse ankohesh do të thotë që nuk e pranon jetën ashtu si është. Jetën tënde ua lë në dorë të tjerëve ndërsa ti vetë ke humbur 100% kontrollin mbi jetën tënde. Merr një vendim; vendimin të jetosh. A je i/e sigurt që do ta kalosh jetën tënde në rolin e viktimës?

Mos etiketo.

Nëse fillon të gjesh emra të ndryshëm për veten (i/e paaftë, i/e pafat, i/e varfër, demble/-e, i/e shëmtuar, i/e varfër…), nëse vendos etiketa të ndryshme automatikisht kufizon veten, mundësitë dhe jetën tënde. Nëse këto etiketime nuk ekzistojnë je më i relaksuar, i jep vetes mundësinë të hapësh dyer të reja, pra do shohësh mundësitë e pafundme. Nëse të etiketojnë të tjerët, mos u brengos se me këto etiketa kufizojnë veten dhe jo ty. Mos harro se gjithmonë humbet ato që ke, por asnjëherë nuk humbet plotësisht atë që je.

Aty ku ka dashuri egoizmi nuk ka vend.

Kur kemi një marrëdhënie ku japim dhe ushqejmë dashurinë, egoizmi nuk ekziston. Kjo është marrëdhënie ku thjesht jemi dhe jetojmë, pa qenë nevoja për ti vendosur kushte njëri-tjetrit.

Nëse diçka e lufton, atë e fuqizon.

Nëse jetën e jetojmë me kufizime, me frikë dhe nuk japim gjithçka për të shijuar momentin, ajo kundër së cilës luftojmë forcohet edhe më shumë dhe kjo e bën gjithmonë e më të vështirë gjetjen e një rrugëdaljeje nga situata ku ndodhemi.

Mos e mundo veten, por merr ato që të ofron ky moment. Me këtë do kuptosh që gjendja jote shpirtërore nuk varet nga të tjerët si të mirë apo të këqinj. Kur largon nga vetja këtë varësi që mund të kesh krijuar nga gjërat apo nga njerëzit, largohen edhe këta njerëz nga kush mendon se varet lumturia jote. Me këtë je i lirë, i lirë të jetosh dhe të vlerësosh veten dhe jetën tënde. Me këtë e pranon tërësisht veten dhe e pranon ciklin jo vetëm të jetës por edhe të vdekjes.

Kërkimi është e kundërta e lumturisë.

Lumturinë mos e kërko, po e kërkove nuk do ta gjesh.

Çfarëdolloj veprimi apo vendimi është më mirë sesa kur nuk ndërmer asnjë veprim apo vendim, sidomos kur çdo gjë të duket e pashpresë apo pa rrugëdalje.

Nëse bën gabim do mësosh diçka dhe në këtë rast gabimi nuk është më gabim, por është një gjë e sigurt të cilën e di që nga këtej e tutje nuk e dëshiron më.

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: