Cili do jetë kapitulli tjetër i jetës suaj?

Posted: 28/10/2018 by Shpresa Rupar

A njihni dikë i cili luan shumë mirë rolin e viktimës? A e gjeni edhe veten ndonjëherë në këtë rol?

Por çdo të thotë të kesh një mendësi të tillë, pra të qenit në rolin e viktimës?

Një mendësi e tillë është tipike për një person të papërgjegjëshëm, për një person i cili fajëson këdo dhe çfarëdo. Personi i cili ka një mendësi të tillë e sheh veten gjithmonë si viktimë të kushteve apo gjen arsye të ndryshme, gjithmonë kërkon fajtorin për dështimet e tij, qofshin këto edhe gjëra fare banale.

Gjithashtu individët me një mendësi të tillë presin, shohin dhe kërkojnë gjithmonë të keqen dhe zakonisht rezultatet që marrin janë negative. Këto lloj “viktimash” gjithmonë kërkojnë miratimin e njerëzve të tjerë dhe shumë rrallë janë gati të marrin përgjegjësinë për qasjet negative që kanë ndaj kujtdo apo ndaj çdo gjëje apo për mendimet dhe opinionet negative të tyre.

Kur dikush luan rolin e viktimës do të thotë që nuk ka në dorë timonin e jetës së tij/së saj, nuk ka kontroll mbi kushtet, situatat, mbi gjendjen emocionale të brendshme. Këta njerëz kanë disa modele destruktive të krijuara brenda kokës së tyre, modele të cilat i drejtojnë ata gjatë rrugës së jetës.

Individët me një mendësi të tillë presupozojnë që lumturia e tyre dhe gjithë jeta e tyre varet nga të tjerët, qofshin këta prindër, mësues, partneri/-rja, anëtarë të familjes, shefa, miq, drejtues të shtetit apo edhe vetë Zoti.

Shprehjet më të shpeshta që përdorin individët me mendësi të tillë janë: “Ai/ajo e pati fajin që unë (nuk) vendosa për këtë”, “Nuk marr dot një përgjegjësi të tillë”, dhe këtu bëhet fjalë për vendimet për jetën e tyre, “Ai e ka fajin që unë ndihem kështu”, “Mu desh të firmosja se më tha shefi”, “Po të ishte shteti i fortë, do bëja këtë apo atë”, “Zoti më ka harruar”.

Viktor Frankl ka thënë: “Të zgjedhësh si do veprosh, të zgjedhësh çfarë qëndrimi do mbash në çfarë do lloj situate e cila të ofrohet, do të thotë të zgjedhësh mënyrën e jetesës, të zgjedhësh rrugën e jetës”, pikërisht kjo zgjedhje e tij bëri që ai ti mbijentonte kushteve më të paimagjinueshme në kampet e përqëndrimit. Ai më tej sygjeron: “Mes stimuluesit dhe kundërpërgjigjes ka një hapësirë”. Pikërisht në këtë hapësirë gjendet forca jonë për të zgjedhur sesi do reagojmë, si do veprojmë, çfarë vendimi do marrim. Në këtë kundërpërgjigjen tonë gjendet zhvillimi dhe liria jonë, liria për të zgjedhur, liria për të marrë vendime apo përgjegjësira.

Në ditët e sotme, frika nga dështimi, frika e refuzimit, frika se ndoshta nuk jemi mjaft, janë shqetësimet kryesore në jetën e njerëzve. Nëse këto frikëra nuk analizohen, shumë shpejt kthehen në besime të patundshme, të cilat me kalimin e kohës krijojnë tek këta njerëz mendësinë e viktimës, viktima të kushteve.

Por si mundet dikush të zhvilloj një mendësi më frytdhënëse, mendësi e cila e bën të jetë më mendjehapur për të analizuar veten dhe për të kërkuar ndryshimin brenda vetes, si mundet ti shohi situatat negative nga një perspektivë tjetër?

Të qenit më mendjehapur

Arsyeja kryesore se pse njerëzit dorëzohen, apo nuk ndjekin ëndërrat e tyre është sepse besojnë që ky X objektiv është jashtë mundësive të tyre fizike apo mendore. Nëse keni një ëndërr për të arritur diçka por nuk jeni të sigurt se si ta arrini, atëhere zhvilloni veten, zgjeroni njohuritë, mësoni një gjë të re, përmirësoni ato njohuri që keni, pra rrisni vlerat tuaja si person. Në jetë çdo gjë lëviz, asnjë gjë nuk është statike, e vetmja pengesë e juaja është një apo disa strategji të cilat ende nuk i keni mësuar. Uluni dhe mësoni, kërkoni ndihmën e ekspertëve, të atyre të cilët kanë kalur nëpër atë rrugë.

Zhvilloni muskujt brenda trurit

E kundërta e frikës është besimi, jo besimi fetar se zakonisht ajo është gjëja e parë që mendojmë sa herë dëgjojmë fjalën besim, por besimi tek ëndërra që keni, besimi tek vetja, tek aftësitë. Besimi dhe veprimi ecin dorë për dore dhe nëse nuk veproni atëhere vetëm besimi nuk mjafton. Ashtu si shkoni në palestër për të forcuar muskujt e krahëve, të barkut po aq punë duhet edhe me muskujt e trurit. Frika na shfuqizon, veprimi na fuqizon.

Groposini justifikimet

Është shumë e thjeshtë të kërkojmë justifikime dhe arsye se pse nuk mundemi të bëjmë diçka, pse nuk e ndjekim dot ëndërrën apo objektivin. Disa nga këto justifikime janë: “Nuk kam kohë”, “Nuk kam lekë”, “Nuk kam familje”, “Nuk më përkrahin prindërit”, “Jam shumë i/e zënë”, “Jetoj në këtë vend, po të isha diku tjetër po”, “Do mërzitet mami”, “Asnjë se ka bërë deri tani”, “Po kush jam unë?!”, e të tjera, e të tjera.  Shumë njerëz fshihen pas këtyre justifikimeve dhe i përdorin sa herë ju duhet një justifikim dhe ky justifikim i bën të ndihen mirë. Herën tjetër kur të filloni të justifikoni veten me zë apo zë, mos harroni që në jetë është edhe mundësia të mos bëni asnjë gjë, pasi çdo gjë është zgjedhje. Gjithashtu mos harroni që asnjë nuk do punojë të realizoj objektivin apo të plotësoj dëshirat tuaja, pasi në këtë botë asnjë nuk do t’ja dij për mua apo për ju, secili është i zënë me punët e veta, prandaj ndoshta nuk do ishte keq të ndiqnit edhe ju ëndërrën tuaj, të shihnit punët tuaja.

Dështimi është mësuesi më i mirë

Gjithashtu mos harroni, në jetë do dështoni. Dështimi është pjesë e lojës. Dështimi na jep mësime, mësimi më i rëndësishëm është të kuptuarit se ndoshta ju duhet të përmirësoni disa gjëra, të mësoni diçka të re.

Gjithashtu mos harroni se nëse në të ardhmen nuk ndiqni një ëndërrën tuaj, një pasionin tuaj, do ngeleni gjithmonë tek e kaluara, do jetoni për të kaluarën.

Personalisht them shpesh, që individi i cili pavarësiht se e ka të qartë se cili është objektivi i tij, gjatë rrugës here pas here edhe ndalet të marri frymë, sheh rrotull, analizon pa frikë, pyet për atë gjë që nuk di dhe në këtë mënyrë mëson.

Nëse këtë formulë e bëjmë pjesë të jetës, mendoj se ky do ishte çelësi për të luftuar mendësinë negative, pra edhe mendësinë e viktimës, pasi një mendësi e tillë është vetëvrasje shpirtërore.

Në fund do thosha që historia e jetës tuaj mund të jetë ende duke u zhvilluar dhe pas çdo kapitulli vjen një tjetër. Në çdo moment keni rastin të shkruani atë faqen bosh të kapitullit të radhës, por përmbajtjen e dorëshkrimit të radhës e keni vetë në dorë ta ndryshoni.

 

 

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: