Cili është hapi tjetër në jetë?

Posted: 04/12/2017 by Shpresa Rupar

Në jetën time më ka ndodhur disa herë të jem para dilemeva të tilla: po tani, po hapi tjetër, nga të shkoj majtas apo djathtas, të vazhdoj apo të kthehem prapa, të ndërroj vendin e punës apo jo, të largohem nga Shqipëria apo jo etj., etj. dilema dhe vendime që duhen marrë gjatë jetës, qofshin këto vendime ndoshta të parëndësishme apo vendime madhore.

Por në analizat që kam bërë para disa kohësh për shumë nga vendimet e mia, qofshin ato të drejta apo të gabuara, kuptova një gjë shumë të rëndësishme: thuajse çdo vendim që kam marrë duke ndjekur instiktin tim kanë qenë vendimet më të shëndetshme. Pas studimeve të viteve të fundit, bëj shumë analiza, por mbi të gjitha analizoj veten dhe një nga ato pyetje që i bëra vetes ishte pikërisht kjo: pse në disa gjëra kam pasur më shumë sukses, pse disa gjëra kanë qenë më të thjeshta për tu realizuar, pse pas këtyre realizimeve jam ndjerë më e plotësuar dhe pse disa të tjera më kanë lenë shije të keqe, nuk më kanë dhënë kënaqësinë e shumëpritur, më kanë stresuar më shumë se të tjerat e kështu me radhë?!?

Duke kërkuar brenda vetes sime, më në fund një ditë e kuptova ku qëndronte sekreti, sekret që është shumë më i thjeshtë nga ajo që mendojmë zakonisht.

Pas çdo vendimi që kam marrë vetë, se e ndjeja veten të aftë për ta realizuar apo se instikti i brendshëm më shtynte drejt këtij vendimi, fshihet puna dhe dedikimi më i madh se në rastet e kundërta kur kam qenë e ndikuar nga bota e jashtme. Pas çdo hedhje hapi drejt realizimit të vendimit personal kam dhënë gjithçka nga vetja, pavarësisht netëve pa gjumë apo lotëve pa fund.

Kjo ndodh për arsye shumë të thjeshta:

  • Një vendim të tillë e marrim nga pasioni që kemi për diçka
  • Pavarësisht se mund të kem pasur shumë njerëz kundër, kam dhënë maksimumin, pikërisht për t`ju treguar të kundërtën e asaj që mendonin.
  • Nuk kam dashur të zhgënjej veten, pavarësiht se në raste humbjesh është një kompleksitet ndjenjash.
  • Shpesh për një vendim të ndikuar nga familja apo kushte të tjera të jashtme nuk japim 100 përqind nga vetja, ose në rastet edhe më esktreme mezi presim të marrë fund dhe me dashje apo pa dashje sabotojmë veten, duke mos i dhënë rëndësi punës apo situatave që kërkojnë zgjidhje dhe vendimmarrje emergjente.

Por çka është më e rëndësishmja nga dështimet personale kam marrë edhe mësimet më të mira dhe kur kam qenë para një dileme tjetër ka qenë më e thjeshtë ajo PO-ja ose JO-ja. Duke vënë gjithmonë në vend të parë veten dhe instiktet e brendshme ai hapi më tej në jetë bëhet shumë më i lehtë.

Jeta e secilit prej nesh është si një hartë me shumë shtigje dhe udhëtime dhe të gjitha këto kanë lënë gjurmë brenda nesh. Këtë rrjet kompleks shtigjesh mund ta përdorim për të bërë më të thjeshtë kalimin tonë nga një fazë e jetës tek tjetra dhe duke i kombinuar gjithë këto eksperienca të së kaluarës, këto rrugëtime, këto dështime, arritje, zhgënjime, njohurri mund të krijojmë një rrugë më të drejtë, një rrugë më të thjeshtë për të realizuar atë çka mendojmë dhe automatikisht ai hapi tjetër hidhet shumë më lehtë.

Ka disa mënyra për të zbuluar hapin tjetër në rrugën e jetës, por para se të hedhësh këtë hap, duhet ta kesh të qartë brenda vetes se në cilën fushë kërkon përmirësim: në fushën financiare, ndryshim karriere, lëvizje në një shtet tjetër,  apo thjesht një zhvillim të personal për tu ndjerë më i plotësuar në jetën e përditshme?

Gjithmonë i besoni zërit tuaj të brendshëm dhe analizoni gjithë eksperiencat e së kaluarës, zgjedhjet që ke bërë, ëndërrat e mbyllura në një sirtar, njohuritë dhe gjithë aftësitë e fituara gjatë jetës. Gjithashtu mendoni për rrugët që ju çojnë drejt atij hapi që doni të hidhni, analizoni çfarë ju mungon, cilat njohuri duhet ti shtoni më shumë bagazhit tuaj, por pa harruar asnjëherë të mbani një këmbë në tokë, pasi vetëm kështu ajo këmba tjetër e ka më të lehtë të kërcejë më larg.

Çdo gjë fillon me një hap, ose me një tullë, ose me një fjalë, ose me një ditë.”

–   Jeremy Gilley  –

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: