E kaluara dhe e tashmja

Posted: 30/05/2018 by Shpresa Rupar

Një nga gjërat më me vlerë që kam mësuar në këto vitet e fundit është largimi i vetëdijshëm nga ngjarjet e së kaluarës.

Le të mos parkojmë veten në ndodhitë e së kaluarës dhe le të mos kërkojmë justifikime tek ndodhitë e së shkuarës për gjendjen ku ndodhemi tani.

Duke vazhduar të mendojmë për të kaluarën, nuk gjejmë fuqinë brenda vetes për të ndryshuar të sotmen.

Të kaluarën asnjëherë se ndryshojmë dot, është pjesë e jona, por mund të ndryshojmë këndëvështrimin ndaj ngjarjeve së kaluarës.

Ndoshta nuk duhet të tregohemi kaq strikt ndaj njerëzve të cilët kanë pasur rolin e tyre në këto ndodhira, ndoshta nuk duhet të tregohemi fare strikt ndaj vetes, ndoshta do ishte shumë më mirë ti pranonim këto ndodhira me lakuriqësitë e tyre sepse këto ndodhira apo gabime të së kaluarës janë eksperienca të domosdoshme, eksperienca që na rrisin si njerëz, eksperienca të cilat na çojnë  një fazë më lart drejt zhvillimit personal.

Duke i pranuar këto të vërteta lakuriqe të së kaluarës dhe duke i parë nga një këndvështrim i ri, hyjmë në një fazë të re jete me më shumë kurajo dhe zbulojmë përsëri forcën e brendshme të fshehur diku në skutat e errëta.

Gjithashtu këto gabime të së kaluarës tregojnë thjesht kush kemi qenë, por asnjëherë nuk duhet të identifikojmë veten me këto gabime, pasi në fund të fundit kush kemi qenë nuk ka aq shumë rëndësi; rëndësi ka kush jemi tani këtë moment, rëndësi ka çfarë vendosim nga këtej e tutje.

Dy janë gjërat të cilat që shpesh nuk na lenë të largohemi nga gabimet apo ndodhitë e së shkuarës:

Së pari janë pasojat që kemi nga këto ngjarje të kaluara dhe

së dyti kujtimet që ngelen brenda nesh.

Ne nuk mund ti shmangim pasojat dhe as kujtimet nuk mund ti fshijmë dot dhe pikërisht kjo i bën këto ngjarje të së kaluarës të dhimbshme.

Dikush mund të thotë harroje të kaluarën, por e kaluara nuk fshihet aq lehtë dhe në vend që të mundohemi si të harrojmë ndoshta do ishte më mirë të përqafojmë eksperiencat e reja, ti përkushtohemi punëve me një qasje ndryshe nga të kaluarat duke mësuar nga këto gabime apo ndodhira të së kaluarës. Çfarë do lloj gabimi kemi bërë në të kaluarën ne nuk mund të largohemi prej tij dhe duhet të marrim përgjegjësitë por thjesht duke krijuar mundësira të reja ne mund të zvogëlojmë sadopak ndikimet nga këto përvoja të së kaluarës.

Gjatë punës sime me klientë të ndryshëm gjithmonë i kushtoj rëndësi të veçantë të tashmes dhe asaj çka bën sot, sepse ndoshta kjo që po bën sot mund të të bëj të ndihesh krenar me veten.

Ansjëherë nuk duhet të harrojmë që është mëse normale të bëjmë gabime dhe gjithashtu mëse normale që të ndiejmë dhimbje, por më e rëndësishme është rruga që kemi para, prandaj filloje të shtrosh gurët si mjeshtër që gabimet e së kaluarës të përsëriten sa më pak ose aspak.

Ne i krijojmë vetë gjithë eksperiencat dhe ndoshta një ndodhi apo gabim i së shkuarës mund të jetë si një bekim për të ardhmen tonë.

Pra në fund do thosha edhe një herë mos kritiko veten për gabimet e shkuara dhe as mos u mundo ti fshehësh ato, por thjesht mendo se si mund të arrish të bëhesh ai që do të bëhesh në të ardhmen, si mund të arrish të krijosh jetën që dëshiron të krijosh.

Yesterday is gone. Tomorrow has not yet come. We have only today. Let us begin.
– Mother Teresa –

A e gjeni veten diku mes këtyre rreshtave?

Nëse do dëshironit informacione më tepër, ju lutem më kontaktoni.

ose

shpresa@everteta-lakuriqe.com

Mob. +38631677245 (viber, whatsapp)

Faleminderit!

 

 

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: