Gruaja si model i vetvetes.

Posted: 22/04/2018 by Shpresa Rupar

Nuk e di ndoshta janë kujtime të venitura nga vitet, por shpesh kujtoj sa ndihmonin nënat tona njëra-tjetrën qoftë në ditë dasmash apo vdekjesh, qoftë kur bënin punë dore apo pregatisnin bakllavanë e Vitit të Ri, qoftë kur edukonin fëmijën apo kur na shkulnin veshin. Nuk mbaj mend që ndonjë prej mikeve të nënës sime të ngrinte zërin gjithë inat por pas një debati uleshin e shifnin filxhanët e kafesë dhe qeshnin me njëra-tjetrën për ato fate që tregonte filxhani për to, por prapë bëheshin më serioze kur shifnin në filxhan fatin e vajzave.

Tek kjo shoqëri dhe përkrahje që i bënin njëra-tjetrës gjenin forcën për ti mbijetuar varfërisë së tejskajshme në Shqipërinë e asaj kohe. Do doja që edhe në ditët e sotme të shifja qoftë një përqindje të vogël të këtij suporti apo të kësaj shoqërie pa inate e cmira. Pavarësisht se kalonin pasditet e nxehta të verës me kokën mbi shtizat apo kalonin me orë të tëra në radhë për ushqimet, djathin, vajgurin përsëri dinin të qeshnin, dinin të shfrytëzonin ato momente së bashku për të ndarë ato njohuri që kishin, qofshin këto njohuri për ndonjë model trikeje, ndonjë perde të re, ndonjë libër, Sanremon (ato që e shihnin), festivalin e këngëve e të tjera.

Mos ndoshta pavarësisht kësaj varfërie nënat tona ishin më të kënaqura me atë monotoni jete dhe ndiheshin më të plotësuara si femra apo si indvidë!?

Pikërisht sot po flitet ngado në botë që sa më mirë të ndihesh me veten aq më shumë suporton gratë e tjera, sa më qetësi të brendshme të kesh brenda vetes aq më e mirë ndihesh në rolin si nënë, bashkëshorte, kolege, mike e të tjera role që i japim vetes gjatë jetës. Sa më pak siguri të kesh tek vetja apo tek roli që ke në këtë jetë, aq më shumë kritikon. Por zonja dhe zonjusha le të mos harrojmë se ne si gra mund ti japim njëra-tjetrës shumë më tepër, ne me përvojat tona pozitve apo negative mund të japim leksione të çmuara. Nëse imagjinojmë një botë ku ne gratë mbështesim njëra-tjetrën për të gjetur vendin e duhur në këtë botë  kaotike, në këtë botë që ndryshon me hapa gjigande, atëhere mund të bëhemi ndryshimi që duam të shohim.

Xhelozia, cmirat, kritikat, paragjykimet janë strehime të sigurta për gratë e pasigurta tek vetja.

Nga përvoja ime mes qindra grave sllovene, shqiptare apo qytetatre të shteteve të tjera, ju garantoj që asnjë grua nuk ndihet 100% e sigurt tek vetja asnjëherë, ky është ligji i natyrës ndoshta. Por nëse ndihmojmë qoftë me fjalë një mike, një të njohur apo të panjohur fillojmë të krijojmë një rreth fillimisht të vogël, një botë ku ndihmojmë njëra-tjetrën, një botë ku mund të flasim më hapur për problemet që kemi brenda vetes. Natyrisht që edhe burrat apo miqtë na ndihmojnë, por ne femrat e kuptojnë më mirë njëra-tjetrën, dhe vetëm një grua mund të jetë ndryshimi tek mënyra si e kupton dhe interpreton një grua, mike, kolege, nënën dhe ngadalë-ngadalë kupton botën në përgjithësi duke përfshirë edhe botën mashkullore. Duke gjetur këtë gjuhë komunikimi ne si gra me njëra tjetrën apo me partenrin, miqtë atëhere do trajtojmë këdo me të cilin na lidh jeta e përditshme me respekt dhe sa më shumë mirësi apo respekt të përçojmë aq më shumë nga keto gjera do fitojmë.

Nëse nuk gjen një model gruaje që do ta ndiqje me gjithë qejf, bëhu vetë ky model.

Shpresa Rupar

 

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: