Histori frymëzuese

Posted: 21/04/2019 by Shpresa Rupar

Eleanor Roosevelt, ka thënë: ”Pas çdo eksperience, ju fitoni më shumë fuqi, më shumë kurajo dhe dhe bëheni më konfident. Kur ndesheni me sfida, thjesht ndaloni dhe e shikoni frikën në sy. Ju, në ato momente duhet të bëni atë gjë që, të cilën nuk mendonit ndonjëherë se mundeshit.”

Secili prej nesh në një periudhë të jetës e ka përjetuar frikën. Ndonjëherë kjo frikë mund të jetë tepër joshëse, ndonjëhere shkatërruese. Gjithçka varet nga situatat, nga momenti. Gjithësesi jam shumë e sigurt që Eleanor Roosevelt me këtë thënie nuk i referohet frikës që vjen nga situata jashtëzakonisht të rrezikshme, ashtu siç mund të jetë situata kur kemi një pistoletë tek koka, një situatë të cilën e kam provuar edhe vetë, pavarësisht se nuk jetojmë në kohë lufte. Në një situatë të tillë duhet një kurajo e jashtëzakonshme, në fund të fundit ndodhemi në kufirin mes jetës dhe vdekjes. Në këtë rast bëhet fjalë për pasiguritë e jetës së përditshme, pra frikërat që na mbajnë larg gjërave që duhet të bëjmë apo që kemi pasion ti bëjmë.

Këtu mendoj edhe unë frikën e cila na paralizon dhe na bën të zvarrisim vendimet, detyrat që na presin, librin që duhet të shkruajmë, studimet që duhet të përfundojmë e të tjera, e të tjera. Megjithatë, njoh shumë zonja të cilat, pavarësisht gjithçkaje, një ditë të bukur i kanë thënë vetes “Mjaft”, kanë marrë një vendim dhe kanë punuar shumë për të realizuar atë ëndërr të tyren, për të plotësuar boshllëkun e ditëve të tyre, për të arritur pavarësinë e tyre financiare, për t’ju siguruar fëmijëve një të ardhme më të mirë apo për t’ju dhënë një mundësi më shumë atyre dhe vetes. Gjithësecila prej këtyre zonjave ka arsyset e veta.

Puna ime më ka lidhur të njoh histori nga më të ndryshmet, histori që edhe mua më inspirojnë. Para gati një muaji vendosa të shkruaj për disa nga këto zonja të shekullit 21 dhe me to kam realizuar disa mini intervista. Të gjitha janë gra biznesi, janë nëna, janë bashkëshorte, janë vajza, janë motra dhe secili rol në jetën e tyre kërkon kohën e vet, gjithësesi pavarësisht ritmeve të çmendura të kohëve moderne dinë të gjejnë kohën edhe për veten e tyre, dinë të vendosin cilat janë prioritetet e tyre, gjithashtu gjetën kohën të bëjmë këtë intervistë së bashku.

Intervista e dytë është me zonjën Qëndresa Rrahmani.

Për ty, çdo të thotë të jesh grua në shkekullin e 21?

Të jesh grua në shekullin e 21, për mua, do të thotë:
të kem të gjitha mundësitë për të jetuar jetën si e zgjedh unë;
të kem të gjitha mundësitë për të punuar;
të kem të gjitha mundësitë për tu zhvilluar.

Qysh nga mosha 19 vjeçare ke filluar të angazhohesh me punë të ndryshme, ke provuar edhe fushën e biznesit, biznes të cilin edhe sot ende po e vazhdon. Ku e gjen frymëzimin?

Po e vërtetë, punoj qysh prej moshës 19 vjeçare. Frymëzimin dhe energjinë e gjej brenda vetes, më frymëzon, më plotëson puna që bëj dhe njëkohësisht më japin forcë edhe klientët kur ngelen të kënaqur me punën time.

Të jesh grua, sidomos në shoqërinë shqiptare dhe sidomos në Kosovë, ku ju është dashur të largoheshit nga shtëpitë tuaja për një kohë të gjatë, nuk është e lehtë. Ku e gjen energjinë për të vazhduar të merresh me ato çfarë merresh? Kush të jep arsye për të vazhduar, pavarësisht ditëve kur ndoshta gjithçka duket pa kuptim?

Për sa i përket ditëve të luftës në Kosovë, kam qenë tepër e re për të komentuar, por mbaj mend një shkatërrim total dhe ashtu si çdo familje tjetër, edhe familja ime filloi çdo gjë nga e para. Ka ditë kur gjithçka më duket pa kuptim, në këto ditë e gjej energjinë dhe fuqinë të ngrihem, së pari tek fëmijët e mi, ata janë arsye madhore që shpesh më japin arsye të vazhdoj. Inspirimin më të madh qysh në fillimet e mia e kam gjetur tek nëna ime, ajo me punën e saj ka qenë dhe ngelet shembulli më i mirë që mund të jepte. Gjithashtu e gjej tek fjalët dhe mbështetja e shoqërisë dhe e njerëzve që kam njohur gjatë jetës sime, njerëz të cilët më frymëzojnë dhe ata në një mënyrë apo tjetër më kanë bërë të kuptoj që nuk jam e vetme në këtë rrugë. Sot, për shembull Shpresa me vlerësimin që i bën punës sime, më bën të jem mirënjohëse për këtë mundësi për këtë intervistë të bukur. Me kënaqësi u ula të shkruaja, sepse ndoshta sot mund të frymëzohet dikush tjetër nga historia ime. Ajo eksperiencë më ka bërë të kuptoj që edhe kur nuk ke asgjë, me vullnet dhe punë mund të arrihet çdo gjë.

Gjithashtu je nënë e dy çunave. Cila është sfida më e madhe me të cilën ndeshesh si nënë? Si e gjen balancën mes rolit nënë, bashkëshorte, grua biznesi?

Sfida më e madhe si nënë është mungesa e kohës, kohën që më duhet t’ja kushtoj biznesit shpesh do të thotë më pak kohë qëndrimi me fëmijët. Në këtë drejtim ndihem me fat dhe falenderoj nënën ime, kunatën dhe vjerrën për kujdesin që tregojnë për fëmijët tanë. Pa ato puna ime si grua biznesi do ishte shumë më e vështirë. Balancën mes roleve si grua biznesi, si nënë dhe si bashkëshorte e kam gjetur me përkushtimin që i kushtoj secilës pjesë së jetës sime. Kur jam në punë i përkushtohem 100% punës, kur jam me fëmijët jam më të mirën nga vetja për të kaluar një kohë sa më cilësore. Natyrisht të njëjtin përkushtim kam edhe si bashkëshorte, të dy mundohemi të japim maksimumin të paktën për atë kohë që jemi së bashku, pasi oraret e zgjatura në punë nuk na japin shumë hapësirë për të qenë më gjatë së bashku.

Si grua biznesi, a je ndeshur ndonjëherë me paragjykime nga shoqëria? Si reagon në raste të tilla?

Natyrisht, ndonjëherë jam ndeshur edhe me paragjykime. Në raste jam e qetë dhe i marrë si një pjesë normale të jetës së përditshme. Gjithësesi mendoj që kushdo që dëshiron të ngrejë standardin e familjes, do thosha se çdo lloj biznesi apo pune që do ju plotëson mos hezitoni ta filloni, pasi puna me pasion ju zhvillon më tepër dhe gjithashtu sjellj lirinë financiare, liri që mendoj se duhet ta ketë çdo femër. Dhe çdo femër mundet!

Faleminderit Qëndresa për kohën dhe suksese më tej!

 

Gjëja më e mirë është kur mbështesim njëri-tjetrin, kur respektojmë, inkurajojmë dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin.

Le të tregojmë edhe më tej histori frymëzuese.

Ti e njeh një zonjë të tillë?

Mos hezito, më shkruaj më poshtë.

 

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: