Histori frymëzuese

Posted: 25/03/2019 by Shpresa Rupar

Eleanor Roosevelt, ka thënë:

”Pas çdo eksperience, ju fitoni më shumë fuqi, më shumë kurajo dhe dhe bëheni më konfident. Kur ndesheni me sfida, thjesht ndaloni dhe e shikoni frikën në sy. Ju, në ato momente duhet të bëni atë gjë që, të cilët mendonit se nuk do mundeshit të bënit.”

Secili prej nesh në një periudhë të jetës e ka përjetuar frikën. Ndonjëherë kjo frikë mund të jetë tepër joshëse, ndonjëhere shkatërruese. Gjithçka varet nga situatat, nga momenti.

Gjithësesi, jam shumë e sigurt që Eleanor Roosevelt me këtë thënie, nuk i referohet aspak frikës që vjen nga situata jashtëzakonisht të rrezikshme, ashtu siç mund të jetë situata kur kemi një pistoletë tek koka, një situatë të cilën e kam provuar edhe vetë, pavarësisht se nuk jetojmë në kohë lufte. Në një situatë të tillë duhet një kurajo e jashtëzakonshme, në fund të fundit ndodhemi në kufirin mes jetës dhe vdekjes.

Në këtë rast bëhet fjalë për pasiguritë e jetës së përditshme, pra frikërat që na mbajnë larg gjërave që duhet të bëjmë apo që kemi pasion ti bëjmë.  Këtu, edhe unë mendoj frikën e cila na paralizon dhe na bën të zvarrisim vendimet, detyrat që na presin, librin që duhet të shkruajmë, studimet që duhet të përfundojmë e të tjera, e të tjera.

Megjithatë, njoh shumë zonja të cilat, pavarësisht gjithçkaje, një ditë të bukur i kanë thënë vetes “Mjaft”, kanë marrë një vendim dhe kanë punuar shumë për të realizuar atë ëndërr të tyren, për të plotësuar boshllëkun e ditëve të tyre, për të arritur pavarësinë e tyre financiare, për t’ju siguruar fëmijëve një të ardhme më të mirë apo për t’ju dhënë një mundësi më shumë atyre dhe vetes. Gjithësecila prej këtyre zonjave ka arsyset e veta. Puna ime më ka lidhur të njoh histori nga më të ndryshmet, histori që edhe mua më inspirojnë.

Para disa ditësh vendosa të shkruaj për disa nga këto zonja të shekullit 21 dhe me to kam realizuar disa mini intervista. Të gjitha janë gra biznesi, janë nëna, janë bashkëshorte, janë vajza, janë motra dhe secili rol në jetën e tyre kërkon kohën e vet, gjithësesi pavarësisht ritmeve të çmendura të kohëve moderne, dinë të gjejnë kohën edhe për veten e tyre, dinë të vendosin cilat janë prioritetet e tyre, gjithashtu gjetën kohën të bëjmë këtë intervistë së bashku.

Intervista e parë është me zonjën Nazmie Zyferi.

Për ty çdo të thotë të jesh grua në shkekullin e 21?

Të qenit grua në shekullin e 21, për mua, do të thotë:

të kem një pavarësi më të madhe;

të jem bashkëvendimarrëse në shumë çështje madhore;

ti kushtoj kohë vetes për kënaqësi personale, për të realizuar ato gjëra që më plotësojnë;

të kem lirinë e fjalës;

të guxoj të them ”jo” aty ku dhe kur nuk ndihem mirë.

Qysh nga mosha 29 vjeçare ke provuar fushën e biznesit. Ku e gjen frymëzimin?

Po e vërtetë. Qysh në moshën 29 vjeçare kam filluar biznesin bashkë me bashkëshortin. Frymëzimi im ka qenë nga presioni, atëhere kur masat e dhunshme serbe brenda javës na kanë larguar nga puna, por fal profesionalizmit të bashkëshortit tim dhe shtytjes nga ana ime, guxuam të dy të hapim ordinancën e pare private në Kosovë.

Të jesh grua, sidomos në shoqërinë shqiptare dhe sidomos në Kosovë, ku ju është dashur të largoheshit nga shtëpitë tuaja për një kohë të gjatë, nuk është e lehtë. Ku e gjen energjinë për të vazhduar të merresh me ato çfarë merresh? Kush të jep arsye për të vazhduar, pavarësisht ditëve kur ndoshta gjithçka duket pa kuptim?

Shpesh në Kosovë bëjmë shaka, që ndoshta ndonjëherë mund ta marrim si gjysëm të vërtetë: ”Po të na donte Zoti, do kishim lindur në një vend tjetër e jo në Kosovë”. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë dhe ecuria e përparimi në Kosovën e sotme vazhdon të jetë një sfidë e fortë, sidomos për ne që nuk përdorim miqtë dhe njohjet për të arritur ato çfarë dëshirojmë. Së bashku me bashkëshortin kemi analizuar shumë, nëse ja vlen të largohemi nga Kosova pas gjithë këtyre viteve punë e investime? Largimi në Europë si dy intelektualë, ku pas gjithë këtyre viteve kemi krijuar reputacionin tonë në vendin tonë, asnjëherë nuk na është dukur si një zgjedhje e mençur. Kështu që kemi mbledhur të gjitha forcat, me sfida, shpesh edhe me borxhe për investimet financiare të nevojshme që kërkon një biznes, dhe ja kemi dalë. Natyrisht edhe qëndrimi pranë të afërmve ka qenë një ndër arsyet më të rëndësishme. Gjithashtu, pavarësisht vështirësive është modeli që dua të kenë fëmijët e mi, pra duam t’ju tregojmë se me punë dhe angazhim arrihet çdo gjë.

Gjithashtu je nënë e dy vajzave dhe një djali fantastik. Cila është sfida më e madhe me të cilën ndeshesh si nënë? Si e gjen balancën mes rolit nënë, bashkëshorte, grua biznesi?

Jam nënë e tre fëmijëve të rritur. Kur kemi filluar biznesin djali ka qenë vetëm dy muajsh. Kjo periudhë ka qenë një sfidë e madhe që nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë. Gjithashtu edhe vajzat kanë qenë të vogla. Kam angazhuar familjarët e mi, të cilëve ju jam edhe sot mirënjohëse pasi më kanë ndihmuar shumë. Natyrisht ju kam munguar fëmijëve të mi dhe ndonjëherë kam vërejtur edhe mangësi, pasi nuk kam mundur ti balancoj të gjitha këto. Gjithësesi me kohën cilësore që kemi krijuar së bashku dhe me bisedime, deri diku kemi gjetur balancën dhe gjuhën e përbashkët. Një rast i cili më ka vrarë jashtëzakonisht shumë ka qenë kur më tha djali: ”Mami do doja më mirë të ishe me mua dhe të duartrokisje në stadium për golat e mi, sesa të më bleje atlete sportive 200 Euro”. Me këtë kuptova sa shumë ju kam munguar.

Si grua biznesi, a je ndeshur ndonjëherë me paragjykime nga shoqëria? Si reagon në raste të tilla?

Prishtina është qytet i madh, me një diversitet kulturash dhe me një popullsi të ardhur nga zona të ndryshme dhe kjo bën atë që nuk njihemi shumë me njëri-tjetrin dhe nuk i kam ndjerë paragjykimet. Gjithësesi familjarët dhe shoqëria e afërt kanë qenë skeptik se a do t’ja dalim dhe si do t’ja dalim.

…por ju ja dolët….

Suksese edhe më tej!

 

Gjëja më e mirë është kur mbështesim njëri-tjetrin, kur respektojmë, inkurajojmë dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin.

Le të tregojmë edhe më tej histori frymëzuese.

Ti e njeh një zonjë të tillë?!

Mos hezito, më shkruaj më poshtë.

 

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: