Mendimeve negative kushtoi 0% të kohës!

Posted: 24/06/2017 by Shpresa Rupar

Sa kohë harxhojmë gjatë bisedave të ndryshme me partnerin, fëmijët, prindërit apo shoqërinë
duke shkëmbyer me njëri tjetrin eksperiencat negative të ditës apo të jetës,
sjellja arrogante e shefit, mungesa e lekëve, sjellja e partnerit, xhelozia e një kolegeje,

shpesh shkojmë aq larg sa të diskutojmë qoftë edhe veshjet e një të panjohuri/re në rrugë,
sjelljet e njerëzve në autobuz etj., etj….

A keni llogaritur ndonjëherë kohën dhe energjinë e harxhuar për këto gjëra?

Besoj se jo, pasi edhe vetë kam rënë pre e këtyre debateve pa vlerë dhe një ditë të bukur më tha im shoq:
A e mbyllët debatin me kolegen për këtë çështje, a i the që nuk ka rëndësi?!

– Po natyrisht, thjesht mu kujtua përsëri.

Nuk e di për kolegen, por ti përderisa po flet katër ditë rresht për të njëjtën gjë, nuk e ke harruar si problem dhe nuk tu kujtua tani rastësisht,
por po e stërpunon në kokën tënde. A e di sa orë dhe energji po harxhon me këtë problem? Më shumë se 90 orë.

Kjo pyetje dhe përgjigje e tij më bëri të mendohem gjatë dhe jo vetëm për rastin konkret, por në përgjithësi fillova ta shof këtë problem pak më thellë.

Sipas një analize të shpejtë vetëm gjatë kafes së mëngjesit merremi gjysëm ore me lajmet negative, e dëgjove çfarë tha dje ai apo ky politikan,
çfarë tha Ministri, dje më ngriti nervat burri/gruaja (në fakt më shumë ankohemi ne gratë për burrat 😃,
ose ndoshta burrat kur janë në shoqërinë e grave, i mbyllin shpejt këto debate 😜),
dje gjithë natën nuk fjeta se bënin zhurmë komshinjtë, se po mendoja për këtë e atë person/problem…..,
çka do të thotë që na ikën gjysëm ore apo edhe 1 orë me karikim energjie negative.

Shkojmë në zyrë dhe përsëri fillon karikimi me negativitet: kolegu pa humor, shefi që përsëri kërkon diçka të pamundur
(ose edhe jo, ndoshta është thjeshtë perceptimi ynë), emaila pa fund, kompjuteri i prishur,
projekti që duhet dorëzuar në kohë dhe karikimi vazhdon  e vazhdon – jo se kemi çdo ditë, ditë të tilla,
por edhe kaq sa janë mjaftojnë për të  përçuar negativitet në jetën tonë.

Këtë energji e përçojmë tek partneri, fëmijët, tek miqtë dhe çka është më e keqja na zë ndoshta edhe gjumi para televizorit duke vazhduar të dëgjojmë lajme negative
(u kap kaq drogë, ky vodhi, ky përdhunoi, ky fallsifikoi dokumentat, ky politikan tha kështu apo ashtu….), ua edhe vetë po çuditem sa e pafundme është kjo listë.
Sipas llogarive të mia të shpejta i bie të harxhojmë afërsisht katër orë në ditë duke folur dhe dëgjuar gjëra negative –  sa gjëra të parëndësishme për jetën tonë.

Kjo energji negative na bën të ndihemi keq, flemë më pak, shofim ëndërra më shumë, na shtohet ankthi, stresi.
Meqenëse subkoshienca jonë funksionon mbi teorinë e thjeshtë, fokusimi tek diçka kthehet në rutinë dhe gjithashtu
meqenëse është shumë e thjesht të reagojmë negativisht ndaj ndodhive të jetës së përditshme,

shumë shpejt këto ankesa dhe ky negatvitet kthehen në rutinë.
Atëhere le të mos i lejojmë ankesat tona të bëhen pjesë e rutinës sonë të përditshme, le të fokusohemi më shumë tek bisedat
dhe ndodhitë pozitive që ndodhin gjatë ditëve, pasi ju garantoj janë me shumicë,
por thjesht, për arsyet e lartëpërmendura nuk jemi të vëmendshëm ndaj këtyre momenteve të vogla që na mbushin ditën.

Zgjedhja varet vetëm nga unë apo nga ty, por në të gjitha rastet kur e kap veten “mat” them STOP,
pasi tashmë e kam shumë të qartë tek ajo gjë ku përqëndroj energjitë e mia, ajo gjë do zgjerohet qoftë kjo negative apo pozitive.

Ups, më falni ndoshta fola më shumë sesa duhet për energjinë negative dhe rolin e saj, por me qëllimin e vetëm për tu larguar sa më shumë nga ajo.

Ju uroj një ditë me sa më shumë pozitivitet!

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line:




No Comments

Leave a Reply