Mosha e mesme

Posted: 11/11/2018 by Shpresa Rupar

Asnjëherë nuk kam pasur ndonjë dëshirë të madhe për trajtim special apo ndonjë festë të vecantë gjatë ditëlindjeve, por kjo nuk ka aspak lidhje me ikjen e viteve, me frikën e plakjes apo me idenë se bashkë me vitet po ikën dhe jeta ime. Ndoshta deri në moshën 35 vjeçare nuk mendoja gjatë për kuptimin e jetës, sepse isha aq shumë e zënë me punët e tjera, në rolet e ndryshme që kisha si nënë e re, bashkëshorte, grua biznesi, vajzë, motër, mike, investuese, sa pavarësisht leximeve pafund nuk më ngelej kohë shumë ti lejoja vetes luksin e thellimit brenda vetes për të eksploruar më shumë.

E rritur në një ambjent ku gruaja 50 vjeçare hynte tek brezi i vjetër, ndoshta pa dashje nuk i lejoja vetes analiza të tilla, me qëllimin dhe fokusin për të arritur gjithçka para se ti vij radha këtij numri mbi tortë, ndoshta?!, ndoshta janë edhe vetëm supozime pasi asnjëherë nuk e kam menduar kaq thellë sa po shkruaj sot.

Për të shkruar rreth kësaj teme u bënë shkak disa komente dhe pyetje të ndryshme nga disa të njohur, se si ndihem tani që po i afrohem gjysëm shekullit.

Hm, çfarë përgjigje t’ju kthej këtyre komenteve, kur shoh që shumë prej të njohurave të mia kanë probleme nga më të ndryshmet me këtë gjysëm shekulli, shumë prej tyre e kanë të vështirë të pranojnë faktin e thjeshtë që janë tashmë  gjyshe, disa të tjera nuk pranojnë dot thinjat, disa e kanë të vështirë përballjen me menopauzën. Një mikja ime tha: “Ankohen ata që nuk kanë kaluar asnjë problem më herët”. Në fakt as me këtë teori nuk bie dakord, pasi në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë fillojmë të bëjmë llogaritë e jetës dhe në një mënyrë a një tjetër të gjithë mund të kalojmë krizën e moshës së mesme, pa marrë parasysh (mos)praninë e krizave më herët.  Në fakt edhe kjo krizë nuk është aspak më ndryshe se krizat që kalojmë në vitet më herët. Në çdo 10 vjeçar me ndryshimet fizike dhe zhvillimin mendor shohim ndryshime të dukshme brenda vetes. Nëse analizojmë krizën në moshën e adoleshencës dhe pikëpyetjet që kemi në atë periudhë para vetes, besoj se nuk është e drejtë të themi se mosha e mesme është krizë. Mosha e mesme është një periudhë me disa ndryshime fizike të cilat janë plotësisht të menaxhueshme dhe nën kontrollin tonë.

Mosha e mesme është ndoshta periudha më e bukur e jetës. Në këtë moshë fillojmë të kërkojmë veten, analizojmë ku ndodhemi, çfarë hapi tjetër do hedhim në fushën e karierës, fillojmë të kujdesemi më shumë jo vetëm për anën fizike por edhe mendore. Pse ndodh kjo? Në këtë periudhë fëmijët mund të jenë larguar nga foleja e shtëpisë, mund të kenë filluar punë, nuk është nevoja të kujdesemi më për ta aq shumë sa disa vite më parë, gjithashtu financiarisht lirohemi nga disa detyrime (pagesat e shkollave, kreditë), pra të gjitha këto arsye më sipër na japin liri dhe kohë më shumë për tu thelluar tek vetja.

Po çfarë ndodh në këtë periudhë, që disa bien në krizë, ndërsa disa fillojnë të shijojnë frytet e jetës?

Ku është ndryshimi?

Dikush mund të jetë aq shumë i lidhur me fëmijën sa nuk e imagjinon dot më jetën pa të, disa çifte në këtë periudhë kuptojnë problemet që kanë me njëri-tjetrin, probleme që deri dje nga mungesa e kohës apo zgjidhja e problemeve të tjera nuk ju kanë kushtuar vëmendjen e duhur. Pa pritur e pa kujtuar kjo kohë e tepërt i bën të ndihen bosh, pasi nuk kanë njohur mënyrë tjetër jetese përveç shërbimeve që ju kanë ofruar fëmijëve.

Cilado qoftë arsyja, mosha e mesme është analizim, është një periudhë tjetër drejt kërkimit dhe drejt zhvillimit, është leja që na jepet apo i japim vetes për të ulur pak ritmin e përditshëm, është leja që na jepet për tu kujdesur për veten, është leja që na jepet për të pranuar më në fund imperfeskionet tona, është leja që na jepet për ti kushtuar kohë udhëtimeve të anulluara, ëndërrave të mbyllura në sirtar, hobeve, miqve, aventurave.

Por kur vjen kriza, ankthet, depresioni?

Atëhere kur nuk e pranojmë si një periudhë tjetër të jetës, kur nuk e pranojmë faktin se thinjat dhe ato çfarë sjell kjo periudhë janë thjesht pjesë e jetës së përditshme. Ky mospranim kthehet në një dhimbje, dhimbje e rrezikshme dhe rreth së cilës duhet patjetër të flasim me familjarët me miqtë, në raste më ekstreme edhe me specialistë të ndryshëm.

Problemi më i rrezikshëm për shëndetin mental vjen atëhere kur ne gratë e moshës së mesme shkojmë nën bisturi për të fshehur rrudhat poshtë syve, celulitin, shkojmë për të ngritur mollëzat, gjokset dhe të gjitha këto për arsyet nga më absurdet, të dukemi ok në pamjen e jashtme, mos të mendojnë të tjerët që po plakemi apo bëjmë gjithçka që botës ti tregojmë pjesën tonë të retushuar.

Më poshtë po shkruaj shkurt për një rast interesant i cili ka ndodhur në Slloveni para disa vitesh. Një zonjë 59 vjeçare, arriti deri në ekstrem, u largua nga shtëpia me qëllim që ta kërkonin, donte që bashkëshorti dhe fëmijët të ndjenin mungesën e saj, të kuptonin sa e rëndësishme është, pavarësisht moshës që kishte. Ajo donte t’ju tregonte atyre që ajo është heroina e shtëpisë, që ata ti kushtonin vëmendjen e duhur apo ta respektonin, kur ajo vetë nuk respektonte dhe nuk donte veten. Raste dhe sjellje të tilla mund të ketë nga më të ndryshmet, por në fund do thosha që në fund të fundit mosha e mesme mund të jetë rilindje ose shuarje e ngadaltë dhe si gjithmonë çdo gjë është zgjedhje. Me zhvillimin dhe mundësitë e pafundme që kemi sot, mund të zgjedhim shumë lehtë rilindjen, pavarësisht moshës 55 apo 65 pasi, sipas një studimi nga BBC-ja, mosha e mesme fillon nga 55 e sipër, moshë ideale për të kuptuar cilat probleme kërkojnë më shumë vëmendjen tonë. Kjo është mosha kur pas shumë dështimeve dhe arritjeve jemi të ndërgjegjshme për pikat e forta dhe për pikat e dobëta.
Kjo është mosha kur ndoshta e dimë saktë se për çfarë jemi krenare dhe çfarë duhet të përmirësojmë, pra kalojmë në një nivel më të lartë vetëdijësimi.

Pikërisht është kjo ndoshta mosha më ideale për të zgjidhur pyetjet pazë që i keni bërë vetes, pyetje që kanë ngelpur pa përgjigje. Shpesh ndesh këtë bindje kufizuese mes klienteve: “Unë jam kjo që jam; është shumë vonë të ndryshoj”, por në fakt do thosha me siguri që kjo është koha më e mirë për të luftuar njëherë e mirë demonët e brendshëm. Pikërisht ky lloj qëndrimi dhe dëshira për të ndryshuar dhe luftuar demonët e brendshëm, mund ti kthejnë këto vite në vite të shenjta.

Shkolla e mesme është periudha kur do të jesh si të gjithë të tjerët; mosha e mesme është periudha kur kërkon të jesh vetëvetja. – V. Moran

A gjeni veten mes këtyre rreshtave? A do t’ja sygjeronit dikujt këtë shkrim? Çfarëdo lloj ndihme që mund t’ju duhet për të zbuluar diçka tek vetja, mos hezitoni të më shkruani.

 

 

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: