Optimisti

Posted: 22/10/2018 by Shpresa Rupar

“Çdo gjë është e mundur”.

 Shpesh, shumë shpesh i dëgjojmë këto fjalë, sidomos nëpër seminaret motivuese.

Por a qëndron, a është me gjithë mend kaq e thjeshtë?

Jeta nuk është fushë me lule, jo gjithë njerëzit janë të mirë, jo gjithë situatat janë ato që presim, megjithatë në të njëjtat kushte dikush arrin shumë më tepër se dikush tjetër, pavarësiht se të dy mund të jenë pozitivë, pavarësisht se të dy nuk janë të rrethuar me negativitet.

 Atëhere ku qëndron ndryshimi mes të dyve?

Optimisti është më tepër se pozitiv, ai është realist, shpesh mund të ketë shumë rezerva para se të hedhi një hap drejt asaj që dëshiron.

Optimisti e kupton shumë mirë realitetin, ai thjesht bën gjithçka për të arritur atë çfarë dëshiron, ai punon shumë më tepër se kushdo tjetër.

Optimisti nuk e pranon “jo”-në dhe dështimin shumë lehtë, ai nuk dorëzohet.

Optimisti nuk pret zgjidhjen vetëm nga mendimet pozitive, pavarësisht se vetë mund të jetë shumë pozitiv, por ai gjithmonë studion çdo rast, sheh me vëmendje gjithë mundësitë që ofron realiteti për të gjetur alternativën më të mirë brenda situatës ku ndodhet.

Optimisti e ka shumë të qartë që pavarësisht pozitivitetit apo optimizmit që ka, jeta nuk ofron asnjë gjë në pjatë.

Optimisti e ka të qartë që jeta na ofron në atë pjatë shumë padrejtësira, por optimisti me vendosmërinë e vet nuk heq dorë, pasi për të çdo gjë ka një zgjidhje, por për të arritur tek kjo zgjidhje duhet të punojë shumë më tepër se të tjerët.

Optimisti ka pritshmëri pozitive për të ardhmen, pritshmëri të bazuara në realitet dhe tek përvojat e jetës.

A ndihmon mendimi pozitiv; absolutisht, nëse nuk ngelet thjesht një ëndërr pozitive.

Unë i besoj shumë fatit. Sa më shumë punoj, aq më shumë fat kam.

–  Thomas Jefferson –

 

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: