Pesë angazhimet e një lideri

Posted: 10/02/2019 by Shpresa Rupar

Lideri me etika morale të larta dhe pesë angazhimet e tij.

Fusha dhe natyra ime e punës më ka bërë të ndjek dhe të studioj metodat e punës së shumë trejnerëve, midis të tjerëve edhe punën e Toni Robbins. Z. Robbins gjithmonë i mëshon integritetit dhe etikës, absolutisht nuk është  i vetmi. Gjithësesi, duke u nisur përgjithësisht nga puna e z. Robbins, sot kam vendosur së bashku pesë pikat kryesore të angazhimeve të një lideri, angazhime të cilat ndryshojnë jetë dhe mundet ta bëjnë një lider tepër efektiv në punën e tij, qoftë ky drejtues i një kompanie, i një organizate, i një zone, i një qyteti apo i një shteti.

Pika e parë: Të sillet denjësisht. Një lider i mirë nuk i trembet situatave të ndryshme dhe nuk e kap paniku. Menaxherët, drejtorët, liderat kanë një punë për të bërë dhe dallimi mes një lideri të suksesshëm dhe jo të suksesshëm është sa denjësisht e kryejnë punën që kanë marrë përsipër dhe cilat janë etikat morale të tyre.

Pika e dytë: Të mbrojnë dhe të përfshijnë. Drejtuesit apo liderat e mirë nuk mbrojnë vetëm të drejtat e asaj pjese që ata i adhuron apo ju beson, por mbrojnë të drejtat dhe mbarëvajtjen e gjithë punonjësve të tyre apo qytetarëve, veçanërisht të atyre që janë më të dobët. Lideri i mirë nuk lejon që njerëzit e tij të kërcënohen, të poshtërohen etj. Lideri i mirë nuk e lejon që punonjësi më i pafuqishëm të keqtrajtohet. As lideri i një shteti nuk lejon që gratë, fëmijët apo pjesa më e pambrojtur të keqtrajtohen, përkundrazi edhe pjesën më të dobët e bën forcë gjithëpërfshirëse.

Pika e tretë: Punojnë për interesa përtej atyre personale. Lideri i denjë gjen qëllimin më të madh dhe me zgjuarsinë dhe shembullin e vet, mundet të bashkojë edhe grupet më kaotike, edhe në situatat më kaotike.

Pika e katërt: Respektimi dhe vlerësimi i mendimit të lirë. Lideri i mirë e vlerëson lirinë dhe mendimin individual sado i ndryshëm të jetë ai. Lideri i mirë, në vend që të shohi kundërshtarin, thjesht sheh tërësinë e situatës për një qëllim më të madh. Lideri i mirë, pavarësisht mendimeve të kundërta brenda një kompanie, organizate apo shteti di të marri më të mirën për ti shërbyer një qëllimi më madhor.

Pika e pestë: Ndërton ura lidhëse. Lideri i mirë di të ngrejë ura lidhëse, pasi ai e di që pavarësisht mendimit ndryshe, pavarësisht debateve të ndryshme, pavarësisht njohurive së secilit, pavarësisht seksit, moshës, bindjeve politike etj., thellë-thellë gjithësecili ka potenciale të pafundme. Lideri i mirë nuk reagon por vepron, vepron duke ngritur ura lidhëse pasi vetëm kur, qofshin punonjësit brenda një kompanie apo qytetarët e një shteti, kanë një lider të tillë ata fillojnë të respektojnë dhe të mbështesin njëri-tjetrin.

Këto janë angazhime dhe kur për këto angazhime, pavarësisht ditëve të vështira, punohet, vetëm atëhere mundet që një lider të arrij të influencojë.

Lideri më i mirë nuk është ai që krijon varësi, por pavarësi.

Gloria Steinem

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: