Pesë gjëra që nuk duhet t’ua themi kurrë fëmijëve.

Posted: 09/04/2018 by Shpresa Rupar

Si prindër kemi shpesh ditë tepër të ngarkuara dhe zakonisht këto frustracione apo probleme të ditës i nxjerrim tek anëtarët e familjes. Në shumicën e rasteve “viktimat” janë fëmijët. Por pavarësisht ditëve të ngarkuara, duhet të kemi kujdes se çfarë fjalësh nxjerrim nga goja, pasi fjala vret dhe me këto fjalë mund ti shkaktojmë  trurit ende të pazhvilluar dëme të riparueshme.

Me fjalët që zgjedhim apo nuk zgjedhim mund ta ngremë lart ose ta ulim shumë poshtë. Është detyra jonë si kujdestarë dhe si të rritur që të dimë kur të flasim dhe kur të heshtim, të dimë çfarë të themi dhe çfarë nuk duhet të themi.

Jevgenij Olegovic Komarovski ka shkruar: “100% e njerëzve dinë si të sjellin në jetë fëmijë, por 99% nuk e dinë ç`të bëjnë me ta”.

Fëmija asnjëherë nuk është përgjegjës për sjelljen e prindërve.

Komarocski thekson se lumturia dhe shëndeti i familjes janë dy nga gjërat më të rëndësishme gjatë jetës sonë. Anëtarët e familjes duhen të sillen sipas nevojave të familjes dhe jo sipas nevojave të fëmijës. Gjithashtu, fëmijës duhet ti bëhet e qartë që nuk është ai qendra e universit.

Por pavarësisht këtyre, studiuesit kanë arritur në përfundimin se pesë gjëra nuk duhet t`ja thoni kurrë fëmijës:

  1. “Të urrej”

Kjo është një nga shprehjet që vret më shumë se çdo fjalë tjetër. Këto fjalë fëmija nuk i harron kurrë. Nëse prindi i thotë fëmijës që e urren, është njësoj sikur e ka braktisur, asnjë fëmijë nuk e meriton të ndihet e padëshiruar. Mbi të gjitha ky fëmijë do fillojë të urrejë veten, prindërit, do rritet bashkë me urrejtjen dhe ky model do përcillet edhe në brezat në vazhdim.

  1. “Ti nuk di të bësh asnjë gjë”

Ti thuash fëmijës që është i padobishëm brenda familjes, apo që është njeri pa vlera, ul vetëbesimin e tij pa e filluar ende jetën. Fëmija rritet me idenë që nuk është i zoti për asnjë gjë dhe thellë-thellë ai e beson këtë gjë.

Kjo farë e mbjell në mendjet e tyre ende të brishta rritet bashkë me ta, por është një farë shumë e pashëndetshme. Mos harroni t`ju thoni fëmijëve sa më shpesh që i doni dhe që ata janë special, pavarësisht dështimeve. Mbajini për dore t`ju tregoni rrugën.

  1. “Ti je fëmija më i prapë, ti je idiot, nuk nxure njëherë, djalë i paedukatë, bullafiqe”

Ky dhe të tjera epitete nuk i thuhen fëmijës, sado probleme të kemi. Me këto fjalë i ulim vetëbesimin, i hap dyert urrejtjes dhe bullizmit, shton stresin dhe shumë probleme.

  1. “Sa do doja të ishe kështu apo ashtu, sa do doja të ishe si ai fëmijë, sa do doja të silleshe si vajza e koleges sime”

Edhe këto fjalë si ato më sipër dëmtojnë imazhin që ka fëmija për veten e vet. Nëse e krahason me dikë, fëmija fillon të urrej motrën, vëllain, shoqen, shokët e klasës. Nëse përdor shprehje të tilla si “Do doja të ishe pak më ndryshe, më shumë…”, nuk do ndihet asnjëherë mjaft në sytë e prindërve.

Çfarë bëjnë këta fëmijë?  Thjesht rebelohen më shumë. Mundohu të vësh në pah gjithmonë anët pozitive të fëmijës, gjërat e bukura, veprimet e këndshme dhe puno me ta me mençuri për të rregulluar ato sjellje apo veprime të gabuara.

  1. “Sepse them unë kështu dhe pikë!”

Kur pyetën një grup fëmijësh se cilën shprehje nuk duan të dëgjojnë më nga prindërit, shumica rrethuan pikërisht këtë togfjalësh. Këto fjalë, dashje pa dashje, i përdor shumica e prindërve, por kujdes se fëmija ndihet i keqtrajtuar. E vërtetë që janë fëmijë, por në radhë të parë janë qenie njerëzore, shpjegojani fëmijës se pse nuk e lejoni diçka. Me këtë i përgatit edhe për të ardhmen, pasi si i rritur duhet të dijë të komunikojë jo thjesht të urdhërojë.

Ndjenjat e tyre kanë shumë rëndësi dhe duhet t`ju japim mundësinë e shprehjes së këtyre ndjenjave, pasi në fund të fundit ata janë e ardhmja jonë.

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: