Rreth meje

Mirë se erdhët në blogun tim!

Quhem Shpresa. Në jetën time kam disa role si bashkëshorte, nënë, motër, hallë, teze, shoqe, mike, grua biznesi, mentore, terapeute. Me kohë dhe eksperiencë i kam dhënë jetës sime një rol tjetër atë të një gruaje që shef lakuriqësitë e jetës:

Lakuriqësinë e njerëzve, pavarësisht veshjes chic.
Lakuriqësinë e gjërave pavarësisht shkëlqimit verbues.
Ndjej lakuriqësinë e zërave, pavarësisht melodicitetit të tyre.
Ndjej lakuriqësinë e inteligjencës, pavarësisht diplomave pa fund.
Ky rol më plotëson dhe më motivon, pasi në këto lakuriqësira të jetës së përditshme, gjej fuqinë e së vërtetës lakuriqe.

Hobi më i madh i jetës sime ka qenë dhe mbetet leximi, biblioteka për mua edhe sot është ilaçi më i mirë i mendjes, dhe ndoshta ky interesim për literaturën më bëri të gjej veten në një botë më larg se ajo qyteza e vogël ku jam rritur. Para disa vitesh, pavarësisht librave pa fund që kisha lexuar, më ra në dorë një libër i cili më bëri të kthej kokën në një drejtim tjetër, ndoshta ishte ajo shkëndija e duhur në momentin e duhur. Gjithmonë më ka tërhequr funksionimi i trurit, marrëdhëniet dhe komunikimi mes njerëzve dhe ky pasion i fshehur, plus librit të zbuluar rastësisht, më shtyu të bëj analiza për jetën time: kush jam unë, ku jam këtë moment, çfarë kam arritur dhe çfarë dua të arrij, si mundet të jem unë ndryshimi, qoftë sado i vogël, duke e filluar këtë ndryshim nga vetja?

Pse vendosa të shkruaj këtë blog? 

Ndoshta, pa e kuptuar për të ndryshuar diçka në jetë, shpesh na duhet vetëm një fjalë, një bisedë gjysëmorëshe, një këshillë e dhënë rastësisht, një seminar apo thjesht leximi i një blogu 😀.
Ashtu siç erdhi momenti në jetën time para disa vitesh, kur çdo gjë brenda meje ulëriste për ndryshim, ndoshta për dikë mund të jetë ky blog dhe për këtë arsye do isha e lumtur që zëri im të ishte ndryshimi.
Në këtë blog, duke ndërthurur njohuritë e mia, njohuri të përfituara nga studimet në Shqipëri, nga eksperiencat e jetës sime në shumë fusha të ndryshme, nga jetesa mes dy kulturave – mes asaj shqiptare dhe asaj europiane, por çka është më e rëndësishmja nga studimet e viteve të fundit në një drejtim paksa të veçantë, Programimi Neuro Linguistik dhe nga njohuritë e marra në kurse e seminare të ndryshme nga specialistë të kësaj fushe, do flas shpesh për të vërtetat mbi zhvillimin e brendshëm dhe atë personal pasi këtu qëndron çelësi drejt çfarëdo lloj suksesi në jetë.

Cili është misioni im? Pse vendosa ti hyj një rruge të re, rrugës së bukur të mentorimit?

Thjesht dua të ndihmoj JU sa më shumë të lidheni me atë fëmijën e lumtur brenda jush, të gjeni të bukurën brenda vetes,të gjeni atë forcë dhe potencial të pashfrytëzuar që keni brenda vetes.

Si mentore dhe trejnere biznesi, shoh talentin, potencialet dhe aftësitë tuaja të brendshme,
pasi mentorimi është një marrëdhënie kreative mes trajnerit dhe klientit, me qëllimin për të implementuar ndryshime specifike, kuptimplote në jetën personale apo profesionale të klientit, ose të dyja së bashku.

Shpresoj që me njohuritë e mia do mundem t`ju ndihmoj sa më shumë dhe shpresoj që ky blog t`ju shoqërojë në rrugën tuaj drejt suksesit për realizimin e objektivave tuaja.

Faleminderit!