Shpresa Rupar, një neuro-linguiste mes Sllovenisë dhe Shqipërisë.

Posted: 06/09/2018 by Shpresa Rupar

Nga Kliton Vaso

Shpresa Rupar ishte ftuar në një aktivitet organizuar nga forumi i grave intelektuale në karrierë të fliste rreth disa temave që lidheshin me sjelljen profesionale në ambientet e punës.

E kishim njohur nga disa shkrime të saj profesionale, ndërsa fati e deshi që ajo të ndodhej në Tiranë për disa ditë në përmbushje të angazhimeve profesionale.

Lektorja dhe mentorja neuro-linguistike, e lindur në Tepelenë, ka studiuar në Universitetin e Tiranës, ndërsa kur dashuria e çoi në Slloveni, ku jeton prej gati 20 vjetësh me bashkëshortin dhe vajzën e saj, plotësoi studimet në Universitetin e Lubjanës.

Shpresa mban ende lidhje me Shqipërinë, dhe me përulje pranon se marrëdhënia me familjen por edhe afërsia ndoshta e kanë mbërthyer në dashurinë e pashmangshme për vendin e origjinës.

Mes Tiranës dhe Lubjanës, kjo grua shtatlarte, labe me sharm slloven, është modeste, ndërsa një ditë pas trajnimit të parë pranoi të takoheshim në një nga kafet e njohura të kryeqytetit për një bisedë rreth jetës së saj.

Diçka rreth personit tuaj, familjes dhe jetës suaj.

Historia ime deri në moshën 19 vjeçare, ashtu si ndoshta shumica e vajzave shqiptare gjatë kohës së komunizmit, është një histori mëse e zakonshme. Kur them e zakonshme kam parasysh pritshmëritë e shoqërisë së asaj kohe: shkollim, diplomim, një punë tetë orëshe, martesa, fëmijët, por rënia e komunizmit dhe përballja me një realitet të panjohur, më detyruan, ndoshta pa e kuptuar, të dal jashtë këtyre klisheve, paragjykimeve dhe pritshmërive të shoqërisë së asaj kohe.

Kam lindur dhe kam jetuar në Tepelenë, në një familje 6 anëtarëshe me sfidat e zakonshme të jetës së asaj kohe, por pavarësisht vështirësive ekonomike, kam pasur fatin e madh që babai dhe nëna më dhanë mundësinë e vazhdimit të studimeve dhe këto studime ishin arsyeja e largimit nga familja që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare.

Pas studimeve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin Tiranë fillova punë pranë kompanisë sllovene “Adria Airways”, pikërisht këtu filloi lidhja ime me kulturën sllovene. Njohuritë e marra pranë kësaj kompanie më dhanë mundësinë e vazhdimit të karrierës sime brenda sektorit privat jo vetëm si e punësuar por edhe si themeluese e kompanisë sime.

Në vitin 2000, pas disa po-ve e jo-ve të fuqishme brenda vetes mora vendimin e largimit nga Shqipëria dhe ky ndoshta ishte në atë kohë për mua një nga vendimet më të vetëdijshme që kam marrë. Arsyeja ishte martesa sepse bashkëshorti im është slloven. Pas qëndrimit për një kohë fare të shkurtër në Slloveni, u vendosëm në Kosovë në periudhën kur sapo kishte përfunduar lufta. Pikërisht këtu hapa kompaninë time, pasi vura re që njohuritë në fushën e turizmit mungonin. Puna na rrëmbeu dhe nga një periudhë qëndrimi dy vjeçare, kjo ishte ideja fillestare, kaluan pa u ndjerë gati pesë vjet.

Si ka ndryshuar jeta juaj në këtë vend të BE-së?

Së pari jeta ime në disa vende më bëri të shoh edhe anën e errët të medaljes së botës së zhvilluar, pavarësisht se kemi një perceptim të gabuar, që çdo gjë për perëndimorët është e lehtë. Jeta është ngado njësoj, jeta ka sfida ndoshta në botën perëndimore edhe pak më të egra, statistikat mbi numrin e lartë të vetëvrasjeve në vendet e zhvilluara ndoshta janë treguesi më i mirë i këtyre vështirësive (divorce, vetmia e cila quhet vrasësi i heshtur i kohëve moderne.) Kjo anë e errët e medaljes më dha leksionin më të vlefshëm në jetën time, ndryshimi për jetën time jam unë, këtë ndryshim nuk mund ta pres nga partneri, nga shefat, nga kolegët, nga miqtë, nga familjarët, nga qeveria dhe jo e jo duke luajtur rolin e viktimës. Meqenëse Sllovenia ndodhet midis Ballkanit dhe vende Perëndimore, ka një përzierje kulturash dhe përshtatja me kulturën e tyre ka qenë shumë e lehtë, kuptohet gjëja e parë që është domosdoshmëri është mësimi i gjuhës, pasi gjuha hap dyer të tjera. Asnjëherë nuk më ka pëlqyer komunikimi nëpërmjet një pale të tretë dhe pikërisht kjo ishte arsyeja që menjëherë fillova mësimin e gjuhës sllovene.

Më vonë mënyra e jetesës së bashku me bashkëshortin më dha mundësinë të jetoj në vende të ndryshme. Po ashtu puna ime, e lidhur për shumë vite me turizmin ka qenë një mundësi fantastike për udhëtime biznesi apo private, ndoshta po të jetoja në Shqipëri nuk do ta kisha këtë mundësi. Edhe sot, pavarësisht se nuk punoj më në fushën e turizmit, kam fatin të udhëtoj në vende të ndryshme, sidomos brenda Evropës në panaire apo takime të ndryshme. Pikërisht kjo jetë aktive ka ndikuar në shumë drejtime e fusha të ndryshme të jetës sime dhe sot mund të them që ndihem shumë me fat të jem një produkt i kulturave të ndryshme.

Një gjë të veçantë kam marrë nga kultura sllovene, sportin. Meqenëse si popull e duan shumë sportin, kanë qenë pikërisht këto tradita, kultura e tyre, që në një farë mënyre më detyruan të bëhem pjesë e kësaj kulture dhe e këtyre traditave. Me miqtë dhe familjet e tyre organizohemi gjithmonë për ecje në male, piknik në natyrë, ski etj.. Personalisht praktikoj në mënyrë të rregullt vrapin, nuk kam ndërmend të marr pjesë në ndonjë maratonë si e kanë traditë sllovenët, por është një nga sportet më klasike dhe më të bukura, sidomos nëse e praktikon në natyrë.

Jeni aktive në rrjete sociale dhe themeluesja e blogut “E vërteta lakuriqe”. Si lindi ideja dhe cilat janë arsyet që ndërmorët këtë iniciativë?

E  vërtetë, për momentin mund të them që kam ditë tepër të ngarkuara, ndoshta është periudha më intensive e jetës time.

Por para se të arrij tek fushat ku operoj sot dhe pse, po flas shkurt për vitet e fundit të jetës sime. Para disa vitesh, pavarësisht librave pa fund që kisha lexuar, përvojave dhe studimeve të ndryshme, më ra në dorë një libër – pasioni im më i madh në jetë ka qenë leximi –  i cili më bëri të kthej kokën në një drejtim tjetër, ndoshta ishte ajo shkëndija e duhur në momentin e duhur, pasi brenda një periudhe tre vjeçare humba të dy prindërit.

Këto humbje brenda një periudhe shumë të shkurtër, rutina e përditshme që nuk më jepte më kënaqësinë që prisja nga jeta, boshllëku që ndjeja brenda vetes u bënë arsyet kryesore që të kërkoja diçka më shumë nga jeta, pasi e kisha të qartë se mund të jepja shumë më tepër. Meqenëse gjithmonë më ka tërhequr funksionimi i trurit, marrëdhëniet dhe komunikimi mes njerëzve u bë një kombinim mes këtij pasioni të fshehur dhe librit të zbuluar rastësisht dhe ky kombinim më shtyu të bëj analiza për jetën time: Kush jam unë, ku jam këtë moment, çfarë kam arritur dhe çfarë dua të arrij, si mundet ti largohem negativitetit, të zgjidh këtë apo atë problem, e të pranoj realitetin, qoftë edhe vdekjen si pjesë të jetës?

Pikërisht këto pyetje dhe kërkime brenda vetes më çuan drejt një fushe komplet tjetër, fushë që është e lidhur tepër ngushtë me interesin tim të veçantë; psikoterapinë dhe funksionimin e mendjes. Pas disa po-ve dhe jo-ve të fuqishme vendosa të studioj pranë Akademisë Mastermind në Ljubljanë një drejtim paksa të veçantë, Programimi Neuro Linguistik, një qasje e re në rrugën drejt zhvillimit personal. Ky program i përsosmërisë më bëri të kuptoj veten, të shoh gjithçka nga një këndvështrim tjetër. Me teknikat e këtij programi fillova të mendoj si të mendoj dhe të gjitha këto sollën një përmirësim të jashtëzakonshëm si në jetën personale por edhe atë profesionale.

Me kalimin e kohës meqenëse kam qenë, jam e do ngelem shqiptare, mendova pse të mos ju ofroj këto njohuri edhe bashkatdhetarëve të mi. Ashtu si unë ndryshova shumë në jetën time duke filluar me një libër, ndoshta edhe publikut shqiptar mund ti mjaftonte një ide e hedhur në blog. Ashtu si erdhi momenti në jetën time para disa vitesh, kur çdo gjë brenda meje ulërinte për ndryshim, ndoshta për dikë mund të jetë ky blog dhe për këtë arsye do isha e lumtur që zëri im të ishte ndryshimi – dhe mbi të gjitha pse jo në gjuhën shqipe, si të thuash ka qenë një ide spontane. Kolegia sllovene që më ndihmoi me disa këshilla rreth blogut, edhe sot mburret me faktin që ka dhënë kontributin e vet për një blog paksa ndryshe.

Disa nga miqtë e mi, qofshin shqiptarë apo të huaj, janë kritikë ndaj iniciativës së blogut, nuk kuptojnë daljen time nga “zona e rehatisë” në të cilën ndodhem etj., etj.. Këto komente më japin më shumë forcë të vazhdoj pasi e kam shumë të qartë brenda vetes atë ç’ka na duhet të gjithëve për të pasur një jetë të këndshme, që mund ta bëjmë kudo ku ndodhemi.

Gjithashtu nuk më pëlqen kur shumë nga bashkatdhetarë tanë, si ata që jetojnë jashtë apo brenda Shqipërisë thonë se “ky vend nuk bëhet, ky vend ka marrë fund. Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë”, etj., etj., pasi ky vend po bëhet, ky vend ka popullsinë më të re dhe pikërisht brezi i ri duhet të mendojë ndryshe. Ky vend ka nxjerrë një kontingjent fantastik intelektualësh, ky vend ka mundësi të pafundme dhe me një ndryshim të mendësisë mund të arrijmë shumë shpejt aty ku dëshirojmë.

Çfarë përfaqëson sot jeta juaj profesionale në Slloveni?

Ende vazhdoj të jem e angazhuar si menaxhere e marketingut pranë firmës ku punoj në dhjetë vitet e fundit, por përveç kësaj pune duke parë ndryshimet fantastike brenda vetes dhe gjithashtu tek zonjat apo zotërinjtë të cilëve ju kam ofruar ndihmën time, ofroj trajnime dhe konsulencë, më shumë individuale, pikërisht mbi zhvillimin personal dhe profesional, e lidhur drejtpërsëdrejti me NLP-në (Programin Neuro-Linguistik). Konsulencat i ofroj on-line, por edhe duke qenë pjesë e seminareve të ndryshme që organizojmë me koleget. Meqenëse ku është një program me shumë nëndegë, po i vazhdoj ende studimet në këtë fushë. NLP-ja trajton njeriun dhe zhvillimin e tij në mënyrë komplekse, si në fushën personale apo atë profesionale.

Disa nga pikat kryesore ku Programimi Neuro Linguistik ndihmon individin: Në largimin nga negativiteti, perceptimet e gabuara dhe mendimet kufizuese; Lënien e cigares; Përmirësimin e komunikimit personal dhe atë profesional; Arritjen e objektivave që ka për të ardhmen duke përdorur disa nga teknikat e saj; Menaxhimin më të mirë të mendimeve dhe ndjenjave të brendshme; Ndihmon ata që duan të jenë më të mirët në fushat e tyre;

Po lidhjet me Shqipërinë?

Duke qenë se fatmirësisht jetoj relativisht afër Shqipërisë kam ruajtur lidhjet e mia me të, por më shumë ato personale. Në këto vite, edhe pse të pakta, kam pasur edhe angazhime profesionale, jashtë fushës me të cilën merrem për momentin.

Fillimisht kur kam lançuar blogun, ka pasur lexime dhe shpërndarje më tej, shpesh edhe pyetje rreth asaj çfarë ofroj, por vetëm në këto muajt e fundit kam filluar të punoj on-line me klientë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe me ata të cilët jetojnë në vende të ndryshme. Dhe kjo është kënaqësia e rrugës që kam nisur.

A mund të na thoni diçka më shumë mbi aktivitetet e fundit në Shqipëri?

Aktivitetet e fundit lidhen me mbajtjen e një premtimi, të cilin ua bëra nëntorin e vitit të kaluar pjesëmarrësve të Forumit të Gruas, organizuar nga zonja Mirela Sula. Pavarësisht orarit tepër të ngjeshur vendosa të organizoj brenda javës disa aktivitete. Prisja një pjesëmarrje më të lartë, por këto janë fillimet dhe si gjithmonë çdo gjë e re është paksa më e vështirë për tu pranuar, sidomos NLP-ja, e cila është një qasje krejt ndryshe dhe thuajse e panjohur për publikun shqiptar.

Çdo të thotë të jesh mentor dhe si mund të përmirësohet jeta e një personi apo mbarëvajtja e një kompanie nga profesionistë të fushës?

Mentorimi ndryshon nga ndoshta shumica e profesioneve ku ka formula dhe rregulla fikse. Si mentor duhet ti përshtatësh këto rregulla dhe formula në kohë rekord. Mjeti kryesor i NLP-së është fjala dhe kur punoj me klientin duhet të jem e përqendruar 100%  në shumë aspekte njëkohësisht: mimika, fjala, toni i zërit, gjuha e trupit, sepse në këto gjeste dhe fjalë fshihet problemi apo kufizimet që dikush mund të ketë. Meqenëse si individ ndryshojmë nga njëri-tjetri, secili prej nesh ka një hartë të brendshme, hartë e cila tek secili prej nesh është ndryshe dhe pikërisht të gjejmë problemin brenda kësaj harte kërkon shumë aftësi dhe përgatitje. Të jesh mentor do të thotë të kesh shumë kujdes të dëgjosh veten, sepse ajo çfarë ai thotë ka shumë më tepër rëndësi për klientin. Gjithmonë duhet të përpunojë këtë hartë të brendshme dhe të ketë kujdes si do ta kuptojë klienti këtë informacion që jep, pra është një profesion sa i bukur po aq edhe me përgjegjësi të madhe.

Si trajnere dhe terapeute ndihem tepër e kënaqur kur marr feedback pozitiv nga klientët, kur më dërgojnë mesazhe mirënjohjeje. Personalisht më pëlqen jashtëzakonisht puna me individin, sepse në fund të fundit shoqëria ka nevojë për individ të shëndetshëm se këta individë të shëndetshëm mund të ngrenë një shoqëri të shëndetshme.

Gjatë kësaj periudhe kam punuar me kompani të vogla apo biznese familjare por gjatë studimeve kemi pasur mundësinë të punojmë edhe me raste më specifike brenda kompanive të fuqishme. Si mentor më duhet t’i shoh problemet në kompleks. Pas humbjeve financiare brenda një kompanie mund të fshihen probleme të ndryshme. Ndihma e specialistëve zakonisht kërkohet atëherë kur dalin problemet financiare apo kur flakët e zjarrit nuk i shuan dot më njeri tjetër, por në shumicën e rasteve pas këtyre humbjeve apo flakëve fshihen arsye të tjera.

Disa nga këto probleme që shohim shpesh brenda një kompanie janë: Kushtet e punës që ofrohen; Ambienti; Sa raporte mjekësore ka dhe si shtrihen në periudha kohore; Marrëdhëniet dhe konfliktet e ndryshme mes të punësuarve, supervizorëve etj.; Trajnimet që ka ofruar dhe çfarë duhet realisht të ofrojë kompania; Respektimi i të drejtave, e të tjera probleme që ndryshojnë nga një kompani tek tjetra.

Në fund të fundit mentori është në rolin e mjekut dhe ashtu si mjeku, i cili i përcakton diagnozën pacientit, Ai duke përdorur gamën e gjerë të teknikave dhe mjeteve linguistike, analizon deri sa të identifikojë shkaqet dhe në fund të ofrojë edhe zgjidhjet e mundshme.

Specifika kanë bizneset familjare për shkak të kompleksitetit të problemeve që vijnë për shkak të marrëdhënieve në çift apo ato prindër-fëmijë.

Ndërkohë që zhvillimi personal është term tepër i përdorur në ditët e sotme, por rrallë shpjegohet se çfarë është. Zhvillimi personal është një investim që bëhet tek vetja për ta menaxhuar atë në mënyrë efektive, pavarësisht asaj ç’ka sjell jeta. Ndoshta nuk arrijmë gjithmonë objektivat që i vëmë vetes dhe dështimet janë pjesë e jetës, por ndryshimi qëndron në mënyrën se si përballohen situata të caktuara.

Zhvillimi personal fillon me ndërgjegjësimin, ku individi kupton kush është në të vërtetë, vlerat, bindjet dhe ëndrrat që ka brenda vetes. Ky është hapi i parë drejt një jete më cilësore.

Pas kësaj vjen hapi tjetër që lidhet me vendimmarrjen. Nga momenti që individi është i vetëdijshëm për mundësitë që ka brenda vetes edhe vendimmarrja për një hap tjetër në jetë bëhet shumë më e lehtë. Shpesh shumë njerëz kuptojnë që janë shumë mirë aty ku janë, thjesht duhet t’u largohen disa bindjeve apo perceptimeve të gabuara.

Me investimet tek vetja fitojmë disa cilësi; Si mundet të jemi më praktik gjatë jetës sonë, të shohim gjërat nga një këndvështrim tjetër, të fokusohemi dhe të jemi më të qartë dhe më produktivë.

Me zhvillimin personal dimë të menaxhojmë më mirë mendimet dhe ndjenjat e brendshme. Mendimet dhe ndjenjat ndikojnë tek sjellja jonë. Sjellja, veprimet apo mosveprimet nga ana jonë sjellin edhe rezultatet, të cilat i shohim në të gjitha fushat e jetës, ecurinë profesionale, financave, marrëdhënieve, shëndetit, komunikimit etj..

Cilat janë planet e ardhshme që lidhen me Shqipërinë?

Absolutisht do doja të isha më prezente në Shqipëri dhe Kosovë, por familja, studimet të cilat po i vazhdoj ende, detyrimet dhe kontratat që kam me klientë të ndryshëm për momentin nuk më japin shumë hapësirë për të qene edhe më prezente, të paktën jo për këto dy muaj. Por kam ende hapësira dhe mundësi për trajnime on-line dhe do isha shumë e lumtur të ndihmoja sa më shumë persona të interesuar me konsulenca të ndryshme individuale, qoftë kjo në rrafshin personal apo profesional.

Kam vënë re një fenomen të veçantë me Shqipërinë dhe Kosovën. Rreth 70% e klientëve on-line janë meshkuj, të paktën deri tani. Realisht, e çuditshme pasi prisja të kundërtën. Pikërisht këto janë ato bindjet dhe perceptimet e gabuara, shpesh ndoshta pa baza që kemi brenda vetes.

Pas kësaj periudhe dy- tre mujore po planifikoj te jem përsëri e pranishme në Shqipëri me seminare apo organizime të ndryshme, të cilat ende jam duke i përgatitur, por më shumë informacione po ja lë kohës.

Shpresa Rupar, një neuro-linguiste mes Sllovenisë dhe Shqipërisë

 

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: