Vajzë e valëve

Posted: 29/08/2018 by Shpresa Rupar

Jetët tona janë vazhdimisht në lëvizje, shpesh më duket sikur jetoj mbi një valë deti dhe kjo valë më çon nga do ajo, shpesh më duket sikur jam mbi një varkë me dy lopata të fuqishme dhe çdo centimetër e kam nën kontroll, shpesh më duket sikur dallgët më zhysin thellë, aq thellë sa shoh vetëm errësirë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre momenteve jeta vazhdon, unë gjithmonë e gjej bregun dhe e kam pranuar faktin që kjo është jeta. Jeta me qëllim na hedh në vende të tilla ku nuk do donim të shkonim, jeta na jep copëza të tilla që janë vështirë të kapërdihen, jeta na jep shuplaka shumë të forta, dhe ndoshta me të drejtë shumica prej nesh pyesin: çfarë qëllimi ka?

Nga përvojat e jetës sime apo nga përvojat e atyre me të cilët na janë kryqëzuar rrugët gjatë këtij udhëtimi, mund të them që qëllimi kryesor është thjesht që të mësohemi si të notojmë bashkë me  këto valë, sepse vetëm kur mësojmë si të drejtojmë valët e brendshme kemi më tepër kontroll mbi jetën tonë, vetëm kështu mundet ta bëjmë jetën tonë dhe të atyre që na rrethojnë më të lehtë. Nëse mësojmë si të notojmë bashkë me dallgët, jeta jonë kthehet në një eksperiencë të bukur dhe vetëm kështu evoluojmë natyrshëm dhe me përpjekje minimale.

Gjithësesi, notarët e dinë shumë mirë që të notosh bashkë me dallgët është një proces ku duhet të jesh aktiv, vigjilent pasi pasivin e merr dallga me vete. E njëjta gjë ndodh edhe në jetën e përditshme; suksesi apo arritjet tona varen gjithmonë nga ajo se sa të gatshëm jemi të notojmë mes dallgëve të jetës, sa e pregatisim veten që këto dallgë mos të na fundosin në errësirën e natës, sa kohë i kushtojmë studimeve, X projekti, sa kohë i kushtojmë vetes, familjes…

Jeta, sidomos me zhvillimin e ditëve të sotme, është tepër dinamike dhe thuajse çdo ditë del diçka e re, çdo ditë mund të ndeshemi me sfida të ndryshme, dhe vetëm kur e përqafojmë këtë dinamizëm jemi të gatshëm të luftojmë me këto dallgë, jemi në një pozicion të favorshëm për të mos e lejuar këtë dallgë të na hedhi në detin e hapur ashtu si mendon ajo.

Natyrisht nëse duam të notojmë kundër rrymës, përveçse humbasim energjinë, ndihemi të bllokuar dhe fillojmë ti përulemi fatit, pranojmë çdo gjë çfarë na sjell dallga, me shpresën se do kalojë.

Patjetër që ndodhin edhe ngjarje të tilla mbi të cilat nuk kemi kontroll dhe natyrisht këto dallgë edhe na marrin me vete, por nëse jemi të vetëdijshëm, pavarësisht se arrijmë fundin e detit, mund të qëndrojmë në këmbë dhe gati të përqafojmë dallgën tjetër për të dal bashkë me të në sipërfaqe.

Vetëm kështu arrijmë të kemi ne vetë kontrollin e dallgëve apo furtunave të brendshme dhe sado të fuqishme të jenë ato, ne mund ta nxjerrim gjithmonë kokën mbi ujë, ne gjithmonë mundet të arrijmë në destinacionin e duhur.

 

 

Deti i trazuar i lirisë nuk vjen kurrë pa dallgë! – Thomas Jefferson

Nëse do dëshironit informacione më tepër, ju lutem më kontaktoni.

shpresa@everteta-lakuriqe.com

Mob. +38631677245 (viber, whatsapp)

or

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: