Vetëvlerësimi, ndjenja që na formëson në rrugën e jetës

Posted: 06/10/2018 by Shpresa Rupar

Në jetë kemi role të ndryshme, bashkëshort/-e, motër, nënë, baba, vëlla, mik/-e, shef/-e, pronar/-e, i/e punësuar, folës/-e, poltikan/-e, investues/-e e të tjera role të cilat dalin gjatë rrugës së jetës.

Por për tu ndjerë mirë në jetë dhe për të qenë të suksesshëm në secilën nga këto fusha, na duhen disa gjëra; një nga këto ndjenja të forta të brendshme është edhe siguria që kemi tek vetja. Ne mund ti tregojmë botës një fytyrë tjetër, ne mund t’ju fshehim të tjerëve atë që ndjejmë thellë-thellë, por gjithësesi kjo fasadë e jashtme nuk largon ndjenjat tona të brendshme. Të ndihesh mirë me veten kërkon shumë më tepër se thjesht konfidenca, më shumë ka të bëj me atë sesa e vlerësojmë veten. Pra, ka të bëj me atë se si e shohim veten; sa kritik jemi ndaj vetes, sa e gjykojmë veten, si sillemi ndaj vetes.

Çfarë duhet të bëjmë për të rritur këtë vetëvlerësim?

Këshillat apo rrugët për tër rritur këtë vetëvlerësim mund të jenë të shumta. Sot, në këtë shkrim po shkruaj rreth tre pikave kryesore me anë të të cilave besoj se do kuptoni më mirë psiklogjinë e vetëvlerësimit.

Beso që je mjaft.

A ju kujtohen shpërblimet apo dënimet kur keni qenë fëmijë?

Pra qysh fëmijë, pa hedhur ende hapat e sigurt, na kanë mësuar me konceptin e shpërblimit kur bëjmë diçka mirë, ose me konceptin e dënimit kur bëjmë një gabim. Këtë model e kemi aq shumë të rrënjosur brenda vetes, saqë vazhdojmë edhe si të rritur të veprojmë sipas këtij modeli. Mendojmë se ky lloj shpërblimi është shenjë e vlerave që kemi, por në fakt kjo nuk është asgjë më shumë se mungesë dashurie për veten. Kur e analizoj më thellë, – kur kam bërë gjithashtu një analizë të vetes -, kam kuptuar që ashtu si disa gjëra të tjera në jetë të cilat nuk janë dhe aq të thjeshta të ndryshohen, edhe ndryshimi i këtyre modeleve të brendshme nuk është aq i thjeshtë dhe nuk mundet të ndryshohen me disa orë punë me veten, pasi disa sjellje, sidomos ato që lidhen me emocionet e brendshme, qofshin këto pozitive apo negative, marrin formë gjatë gjithë rrugës së jetës.

Nëse rritemi në një ambjent ku dominon kritika atëhere brenda nesh kultivohet frika, pasiguria, paaftësia e shprehjes së lirshme të mendimeve personale, pra asnjëherë nuk ndihemi mjaft.  Nëse nuk besojmë se jemi mjaft, dashje pa dashje, do vazhdojmë ti vendosim disa kushte vetes, me këto kushte krijojmë ndjenjën e brendshme: tani po e meritoj dashurinë, e meritoj respektin, e meritoj të më pranojnë. Por sa zgjat kjo?

Kupto se autokritika nuk ka të bëj me përmirësimin e vetes.

Një cilësi tjetër që kemi mësuar gjatë rrugës së jetës është qëndrimi kritik ndaj të tjerëve, gjithmonë duke u nisur nga dëshira e mirë, që nëse dikë e kritikojmë ai/ajo do përmirësohet. Por, edhe në rastet kur nuk kritikojmë të tjerët ne kritikojmë veten. Autokritika është një mënyrë për të parë dobësitë tona, por sa e shëndetshme është për ne, nëse ngelemi deri aty? Këtu duhet të bëjmë dallimin mes (auto)kritikës pozitive, konstruktive dhe asaj negative, dekonstruktive.

Çdo lloj autokritike, apo çdo mendim negativ që kemi për veten, në vend që të na ndihmoj për tu ndjer më të sigurt, ka efektin e kundërt.

Ne mundet të punojmë për të përmirësuar veten, pa qenë nevoja të tregohemi shumë të ashpër ndaj  saj. Ne mundet të ndryshojmë, ne mundet të arrijmë më shumë kur inkurajohemi dhe kur kritikohemi, qoftë nga dikush tjetër apo nga vetja. Kur ndjeni zërin e brendshëm “Prapë gabova, sa idiot/-e që jam, çfarë gabimi bëra…gjithmonë njësoj unë”, ndryshojeni këtë zë, ndryshoni fjalët e brendshme:

“E bëra gabim; uroj mos ta kisha bërë këtë gabim, por po e marr si mësim, si një eksperiencë nga e cila mund të mësoj diçka.” Ndryshimin brenda vetes e filloni kur i pranoni vetes gabimin dhe kur filloni analizën, “çfarë duhet të kem kujdes nga këtej e tutje”?

Pse është e rëndësishme kjo pyetje? Për të qenë herën tjetër më të sigurt për hapat që duhet të ndiqni.

Mos gjyko të tjerët dhe as mos e krahaso veten me të tjerët.

Sa herë i keni dëgjuar mes miqsh në debate e sipër, apo edhe i keni përdorur vetë shprehje të tilla si;

“atë se arrij dot unë”;

“ai ka shumë njohuri”;

“ajo po di të flasi”;

“ata janë të lumtur jo ne të dy”;

“ajo po që ka fëmijë të edukuar”;

“ajo është elegante, etj.”, pra me këto fjalë ne shprehim respektin tonë për të tjerët, duke supozuar që vlejnë më shumë se ne.

Nëse përdorim këtë mendësi, atëhere ne ulim vlerat e vetes, subkoshienca merr sinjalin që nëse ti nuk arrin diçka si ai/ajo/ata, atëhere nuk vlen. Ky mosvlerësim i vetes na shton edhe më shumë mendimet negative rreth vetes, ndihemi edhe më shumë të pasigurt tek vetja.

Nëse mendojmë që njerëzit e suksesshëm apo ata të bukurit meritojnë një trajtim special, nëse ju bëjmë atyre një vend special, atëhere ne nuk dimë si të trajtojmë veten në mënyrë speciale, pasi vetë nuk i kemi lenë vetes një vend special apo nuk i kemi dhënë mundësinë ta trajtojmë veten po me aq dashamirësi, po me aq dashuri sa ata të cilët vlerësojmë.

Ka njerëz të cilët gëzojnë një status më të mirë se ne, por kjo është vetëm në pamjen e jashtme, pasi thellë brenda vetes si qenie njerëzore jemi të gjithë njësoj, të gjithë provojmë të njëjtat emocione,  (frika, neveria, trishtimi, gëzimi, zemërimi, habia, kënaqësia, dashuria, turpi, xhelozia).

Kur nuk mbivlerësojmë të tjerët, i japim mundësinë vetes të mos krahasohemi me të tjerët pasi ne sinqerisht besojmë në barazinë që kemi.

Pavarësisht se shpesh ne mund të ndihemi jo shumë të sigurt, nëse kemi një vlerësim pozitiv të vetes, atëhere asnjëherë nuk i vëmë në dyshim vlerat tona. Me këtë vlerësim të vlerave që kemi brenda vetes, na jepen më shumë mundësi, na hapen më shumë rrugë, pasi me lirshmërinë në sjellje tërheqim më shumë njerëz të tjerë të cilët ndihen po aq rehatshëm me veten e tyre.

Gjithmonë vetëm kur vlerësojmë veten ne mund të krijojmë marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët dhe mund të arrijmë suksese në jetë.

Pra ji më shumë se konfident – pranoje dhe duaje veten në ditët e mira por edhe të këqijat.

Në fund do thosha që na takon ne si prindër t’ju tregojmë fëmijëve me sjelljen dhe veprimet tona rëndësinë e këtyre vlerave njerëzore, pasi këto lloj leksionesh nuk mund të mësohen me formula llogjike, por absorbohen nga sistemi i tyre i besimit gjatë rrugës së jetës. Jeta tashmë e ka treguar shumë shpesh që leksionet më të mira i marrim atëhere kur as nuk mendojmë se po mësojmë diçka.

 

 

If you find yourself wondering about anything, feel free to drop me a line: